Jeffrey Epstein, miliarderi amerikan i dënuar për krime seksuale, kishte zhvilluar bisedime për blerjen e ishullit grek Scorpio, dikur pronë e Aristotel Onassisit. Këto informacione dolën në pah pas publikimit të dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së. Bisedimet, të cilat zgjatën nga gushti deri në fund të vitit 2011, nuk rezultuan në marrëveshje konkrete, duke lënë të paqartë nëse Epstein kishte interes personal apo vepronte për një pale të tretë.
Dokumentet përfshijnë rreth 3 milionë materiale të deklasifikuara, me mesazhe që lidhen me bisedat për blerjen e ishullit, përveç disa adresave emaili që janë censuruar. Ndër personat e kontaktuar nga Epstein ishte Boris Nikoliç, ish-bashkëpunëtor i Bill Gates, si dhe Richard Giraud, një sipërmarrës francez i përfshirë në pasuri të paluajtshme luksoze.
Më 5 gusht 2011, Giraud dërgoi informacion për ishujt privatë në Greqi, dhe një ditë më vonë, Nikoliç ia përcolli këtë informacion Epstein-it, përshkruar Scorpio si “një nga ishujt më privatë në Greqi”. Në ditët pasuese, Epstein kërkoi më shumë detaje mbi bregun e ishullit. Nikoliç e informoi se ishulli nuk ishte zyrtarisht në shitje, por premtoi se do të verifikonte informacionin e kërkuar.
Më 17 gusht, Nikoliç konfirmoi për Epstein-in që Scorpio ishte pronë private, duke përshkruar rezidencat dhe historinë e tij, përfshirë lidhjen me Onassin dhe Jackie Kennedy. Nga 20 gushti e tutje, ndodhën mesazhe direkte ndërmjet Epstein-it dhe Giraud-it, me Giraud që përpiqej të siguronte një vizitë private në ishull. Epstein, i cili ndodhej në Evropë, kishte kërkesa mbi privatësinë dhe aksesin në ishull.
Giraud e sqaroi se “nuk ka ishull plotësisht privat”, duke theksuar se Scorpio ishte pronë private dhe hyrja nuk lejohej. Pavarësisht diskutimeve për mundësinë e një vizite në tetor 2011, Epstein nuk mundi të merrte pjesë. Përpjekjet e tjera për të planifikuar një vizitë u ndalen, duke lënë interesin për ishullin në nivel bisedimesh, pa u shndërruar kurrë në marrëveshje formale.















