Koment nga Timoni.al
Samir Mane është sot i ngulitur si një oktapod në çdo sektor strategjik të ekonomisë shqiptare. Qendra tregtare, supermarkete, miniera, resorte luksoze, banka, energji, pasuri të paluajtshme – asgjë nuk lëviz pa kaluar nga rrjeti i tij i interesave. Me 56 kompani nën kontroll, Mane nuk është thjesht biznesmen: ai është simboli më i pastër i kapjes së ekonomisë nga një dorë e vetme.
I dekoruar, i lavdëruar, i shitur si “model suksesi”, Mane ndërtoi perandorinë e tij në një vend të renditur mes më të korruptuarve në botë. Rastësi? Vështirë ta besosh. Brenda dy dekadash, emigranti i panjohur u shndërrua në njeriun më të pasur të Shqipërisë, me pasuri të vlerësuara mbi 2 miliardë dollarë, ndërsa shumica e shqiptarëve mbijetojnë nga muaji në muaj.
Por origjina e kësaj pasurie mbetet një histori e copëzuar, plot kundërthënie. Vetë Mane ka treguar versione të ndryshme: herë shitës qoftesh, herë tregtar orësh e xhinsesh, herë kambist që fitonte dhjetëra mijëra dollarë në javë në fillim të viteve ’90. Një student minierash që hap dyqanin e parë privat me qofte, pastaj papritur fiton milionin e parë në moshën 25-vjeçare duke shitur televizorë. Asnjëherë një shpjegim i plotë, asnjëherë një histori që qëndron.
Një nga kapitujt më të errët të historisë së Samir Manes është partneriteti i tij me Miroslav Mishkoviçin, një nga oligarkët më të fuqishëm serbë, figurë kyçe e ekonomisë së ndërtuar gjatë regjimit të Slobodan Milosheviçit.
Mishkoviç është përmendur prej vitesh nga media ndërkombëtare si pjesë e elitës ekonomike të lidhur me pushtetin autoritar serb dhe me struktura të dyshimta të ekonomisë së errët të Ballkanit. Përmes kompanisë së tij “Delta Maxi”, ai bleu rrjetin Euromax të Samir Manes në vitin 2008.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë dhe brutale:
Si përfundoi një “shitës qoftesh” shqiptar në partneritet biznesi me një oligark të formuar nën hijen e Milosheviçit?
Këto nuk janë bashkëpunime rastësore. Janë aleanca strategjike, që tregojnë se Mane nuk ishte një sipërmarrës i zakonshëm, por pjesë e një rrjeti më të gjerë interesash rajonale.
Ngjitja e vërtetë nisi kur politika hapi derën. Me ardhjen e Sali Berishës në pushtet në vitin 2005, Mane kuptoi shpejt se në Shqipëri nuk fiton ai që punon më shumë, por ai që lidhet më fort. Ai u bë klient i Berishës, dhe shpërblimi nuk vonoi: dyert e pushtetit u hapën, projektet u shumëfishuan, pasuria shpërtheu.
Aleancat u shtrinë edhe përtej kufijve. Lidhjet me Miroslav Mishkovicin, oligark serb i lidhur me regjimin e Milloshevicit dhe i përfolur për krim të organizuar, tregojnë se Mane nuk ka pasur kurrë skrupuj për burimin e partnerëve, për sa kohë paratë dhe pushteti rridhnin.
Në Bulqizë, pasuria e kromit u kthye në varreza për minatorët. Dhjetëra të vdekur, qindra të plagosur, protesta, sindikata të shtypura dhe pushime nga puna. Ndërsa poshtë tokës njerëzit humbnin jetën, lart Balfin rritej, koncesioni zgjatej dhe fitimet shumëfishoheshin. Shteti heshti. Drejtësia heshti.
Në jug, toka publike dhe private u shndërrua në resorte luksoze nën etiketën “investim strategjik”. Banorët u anashkaluan, hetimet u harruan, ligji u përkul. Green Coast, Lalëz, vila milionëshe për elitat, ndërsa Shqipëria boshatiset.
Ironia arrin kulmin kur vila e Manes futet në librat shkollorë si shembull i “fshatit modern”. Një fëmijë shqiptar mëson që luksi i miliarderit është modeli i së ardhmes, ndërsa varfëria e familjes së tij është faji i tij.
Nga shitës qoftesh në miliarder – kjo nuk është histori suksesi. Kjo është historia e një sistemi të kalbur, ku pasuria nuk ndërtohet me punë, por me lidhje, ku ligji nuk vlen për të fortët dhe ku një njeri mund të marrë gjithçka, ndërsa një vend humbet gjithçka.















