Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh përfundoi operacionin e koduar “Brand 3”, ku u identifikuan 7 shtetas të përfshirë në kontrabandimin e veshmbathjeve nga Kina dhe Turqia. Këta individë, të cilët vepronin në bashkëpunim, magazinonin mallrat në Tiranë dhe i shisnin duke shmangur detyrimet tatimore.
Gjatë operacionit, përfunduan në pranga 3 persona: S. B. (69 vjeç), B. Ll. (72 vjeç) dhe A. B. (57 vjeç), ndërsa 4 të tjerë u proceduan penalish. Hetimet vijojnë për të identifikuar dhe kapur individë të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në kuadër të operacionit, u sekuestruan 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara se ishin kontrabanduar, si dhe 2 automjete që përdoren për transportimin e tyre. Hetimet, të realizuara nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, u bazuan në informacionet për një rast të kontrabandës së mallrave dhe shitjes së tyre në informalitet.
Pas arrestimeve, materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për disa vepra penale, përfshirë “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Investigimi vazhdon me fokus në zbardhjen e plotë të kësaj rrethane kriminale dhe ndëshkimin e përgjegjësve.















