Tregu i sigurimeve në Shqipëri po rrëshqet me shpejtësi drejt një modeli grabitqar, ku fitimet e kompanive rriten në mënyrë disproporcionale, ndërsa dëmshpërblimet për qytetarët bien në mënyrë të qëllimshme. Ky degradim nis pikërisht pas largimit të Uniqa Group Austria dhe kulmon me rikthimin e Avni Ponarit në krye të tregut përmes SIGAL.
Prej muajsh, mediat kanë denoncuar një fenomen alarmant: shqiptarët po paguajnë gjithnjë e më shumë për siguracionet e makinave, por po marrin gjithnjë e më pak dëmshpërblime kur aksidentohen. Dhe kjo nuk është më as tendencë, as rastësi sezonale – është një skemë e qartë, e mbështetur nga shifra dhe e toleruar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Shifrat e gjysmës së parë të vitit 2025 janë tronditëse. Kompanitë e sigurimeve arkëtuan rreth 87 milionë euro nga primet e sigurimeve motorike, 11 milionë euro më shumë se një vit më parë, ndërsa qytetarëve u kthyen vetëm 23 milionë euro në dëmshpërblime. Diferenca nuk është thjesht fitim – është zhvatje.
Në krye të kësaj skeme qëndron SIGAL, kompania me peshën më të madhe në treg, e kontrolluar tashmë plotësisht nga Avni Ponari. Nga janari deri në qershor 2025, SIGAL arkëtoi rreth 20 milionë euro nga sigurimet motorike, por pagoi vetëm 6 milionë euro dëme, madje 7.5% më pak se një vit më parë, ndërkohë që të ardhurat u rritën me 13%.
Ironia bëhet edhe më therëse kur sheh se kompani të tjera, me shumë më pak kontrata sigurimi se SIGAL, paguajnë më shumë dëmshpërblime se sa kompania e Avni Ponarit. Pra problemi nuk është tregu, por politika e qëllimshme e mosdëmshpërblimit.
Të dhënat mujore e zbërthejnë qartë skemën: rënia e dëmshpërblimeve të SIGAL nis në mars 2025, pikërisht në momentin kur Avni Ponari rikthehet si aksioner i vetëm pas largimit të austriakëve. Në mars rënie 3%, në prill 1.28%, në maj 4.83% dhe në qershor 7.5%. Një vijë e drejtë zbritëse, paralelisht me rritjen e fitimeve.
Redaksia kërkoi një shpjegim nga SIGAL për këtë sjellje anormale, por kompania zgjodhi heshtjen. Heshtje që flet më shumë se çdo reagim.
AMF – nga rregullator në noter privat
Ky degradim po ndodh nën sytë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, një institucion që dikur kishte rol aktiv në mbrojtjen e interesit publik, por që sot duket i bunkerizuar dhe i paralizuar nën drejtimin e Mimoza Kaçit. Në vend që të mbikëqyrë tregun, AMF po sillet si një zyrë noterie që vulos vendimet e Avni Ponarit.
Miratimi i koeficientëve të rinj të riskut – të cilët favorizojnë hapur kompanitë e sigurimeve dhe godasin drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve – ishte sinjali i parë i kapjes së AMF. Këta koeficientë hynë në fuqi në janar 2025. Avni Ponari mori kontrollin e SIGAL pak javë më pas.
Rastësi? Apo skemë e ndërtuar me kujdes?
Largimi i Uniqa Group Austria nuk ishte thjesht një dalje nga tregu, por një alarm i kuq për atë që do të vinte më pas. Sot po shohim pasojat: një treg sigurimesh të kapur, një institucion rregullator të nënshtruar dhe qytetarë që paguajnë për një shërbim që nuk e marrin.
Nëse AMF nuk reagon dhe nëse institucionet e drejtësisë heshtin, atëherë skema Ponari në sigurime do të kthehet në modelin standard të grabitjes së ligjshme të shqiptarëve.















