Wednesday, January 28, 2026
  • Login
Timoni.al
Advertisement
  • LAJME
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • SOCIALE
    • Ekonomi
  • OP-ED
  • Sport
  • KOSOVA
  • Vendi
  • JETË/STIL
  • Rajoni
  • BOTË
  • Kuriozitete
  • Shendet
  • Media
  • Tech
  • TJERA
No Result
View All Result
  • LAJME
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • SOCIALE
    • Ekonomi
  • OP-ED
  • Sport
  • KOSOVA
  • Vendi
  • JETË/STIL
  • Rajoni
  • BOTË
  • Kuriozitete
  • Shendet
  • Media
  • Tech
  • TJERA
No Result
View All Result
Timoni.al
No Result
View All Result
Home AKTUALITET

“Përgatitjet kishin nisur prej muajsh, jo nga video e Priftit”, Meta nxjerr ‘të vërtetat’ për 21 Janarin: Oferta e Ramës për t’u bërë unë kryeministër…

Editor by Editor
January 28, 2026
in AKTUALITET, KRYESORE, Lajmi Fundit, POLITIKE, Vendi
0
“Përgatitjet kishin nisur prej muajsh, jo nga video e Priftit”, Meta nxjerr ‘të vërtetat’ për 21 Janarin: Oferta e Ramës për t’u bërë unë kryeministër…
0
SHARES
15
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Ish-presidenti dhe kreu i PL-së, Ilir Meta, ka publikuar nga burgu një reagim të gjatë, ku sjell versionin e tij për ngjarjet e 21 Janarit 2011, duke i cilësuar ato si të parapërgatitura dhe jo si reagim spontan ndaj videos së publikuar më 11 janar të atij viti.

Në videon në fjalë që solli dhe reagimet dhe protestën e dhunshme, shfaqej Meta dhe Dritan Prifti ku flisnin për shifrën e majme prej 700 mijë euro. Në deklaratën e tij, Meta shprehet se heshtja e njerëzve me integritet ndihmon, sipas tij, “falsifikatorët e historisë” dhe akuzon ish-drejtues institucionesh, politikanë dhe analistë për përhapje gënjeshtrash dhe standarde të dyfishta morale. Sipas Metës, protesta e 21 Janarit nuk ishte pasojë e menjëhershme e publikimit të videos, por ishte planifikuar muaj më parë. Ai pretendon se kishte informacion paraprak për përgatitjen e një “revolte të dhunshme”, përfshirë rekrutimin e elementëve kriminalë për përplasje me policinë.

Meta rikujton se pas publikimit të videos, më 12 janar 2011, hoqi dorë nga imuniteti parlamentar dhe ftoi Prokurorinë të hetonte çështjen. Ai thekson se më pas dha dorëheqjen e parevokueshme nga postet e zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, një javë para protestës së 21 Janarit, për të mos qenë në detyrë në rast përshkallëzimi të situatës. Në deklaratë, Meta rrëfen edhe episodet e shantazhit që pretendon se ka përjetuar nga ish-zyrtarë dhe ndërmjetës, përfshirë oferta politike që ai thotë se i ka refuzuar kategorikisht.

Ai pohon se ka informuar në kohë kryeministrin e atëhershëm Sali Berisha për këto zhvillime. Duke iu referuar dhunës së 21 Janarit, Meta deklaron se protestuesit socialistë, sipas tij, nuk ishin ata që sulmuan Kryeministrinë, por persona të rekrutuar, të cilët për orë të tëra u përplasën me forcat e rendit, derisa situata përfundoi në përdorimin e armëve nga Garda e Republikës. Ai kritikon ashpër institucionet ligjzbatuese për mosparandalimin e dhunës, pavarësisht paralajmërimeve, dhe Prokurorinë për mënyrën si u trajtua hetimi i videos, duke pretenduar se ekspertizat ishin të gabuara dhe të njëanshme.

Meta kujton gjithashtu se Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm me vendim unanim 5–0 dhe se, sipas tij, edhe relatori i çështjes votoi në favor të pafajësisë, pavarësisht presioneve politike. Në përfundim, Meta e cilëson videon e publikuar në janar 2011 si një montazh të përdorur si “alibi politike” dhe thotë se katër qytetarë të pafajshëm “e paguan me jetën e tyre” përdorimin politik të saj.

REAGIMI I METËS PËR 21 JANARIN

Kur njerëzit me integritet nuk i thonë të vërtetat, veçse ndihmojnë falsifikatorët e historisë të legjitimojnë gënjeshtrat e tyre.
Jo vetëm kaq, por edhe detyrohen të dëgjojnë leksione për “standarde morali” nga njerëz që me moral kuptojnë vetëm borderonë ku paguhen (në të bardhë apo të zezë).
Akoma më keq kur dëgjon gënjeshtra nga ish-drejtues institucionesh që mbajnë përgjegjësi për veprimet apo mashtrimet kur ishin në detyra shtetërore apo qeveritare.

Dëgjova edhe një gazetar të njohur se kur atëherë për 700 mijë euro u bë nami në 21 Janar, tani duhet të bëhet hataja kur flitet me dhjetëra milion euro, etj. (Kjo është përmbledhje sintetike e imja)
Nëse populli vërtet do ishte revoltuar për atë montazh të stërprovuar më 11 Janar do kishte dalë që atë natë në rrugë (siç ka ndodhur në Hungari e vende të tjera). Ja maksimumi ditën tjetër. Por 21 Janari ndodh vetëm 10 ditë pas publikimit.
Ndërkohë përgatitjen për 21 Janarin kishin nisur muaj më parë.
Pas një viti në krye të Ministrisë së Jashtme, pasi kishim përmbyllur me sukses çështje madhore si vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, si edhe liberalizimi i vizave pas takimit vendimtar të Sarajevës, por edhe pas zmbrapsjes së Projekt-Rezolutës së Serbisë në OKB kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ramë dakord me Kryeministrin Berisha, për të bërë rokadë brenda 2 ministrive që drejtonte Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).
Arsyeja kryesore ishte jo vetëm se unë i kisha përmbushur objektivat kryesorë në MPJ, por edhe se e kisha të pamundur të drejtoja në mënyrë efektive LSI-në, ndërkohë që po afronin zgjedhjet vendore.
Në një vit kisha kaluar gati 170 ditë jashtë shtetit.
Këtë vendim ia komunikova edhe zotërisë me të cilin do bëja rokadën.
Edhe pse i palumtur ai i mirëkuptoi argumentat e mia.
Por çuditërisht pasdite më mbërrijnë nja 2 sms të tij, ku më thoshte se nuk ishte dakord me këtë rokadë dhe se duhej ta vlerësoja edhe njëherë këtë ide se përndryshe ai kishte përgjime me mua.
Kaq mjaftoi që ai të “shkarkohej” pa u propozuar.
Këto mesazhe të tij ia kalova forward Kryeministrit Berisha dhe i bëra të qartë që ky nuk mund të ishte Ministër i Jashtëm dhe i propozova Z. Edmond Haxhinasto, më një përvojë të çmuar diplomatike.
Kështu që shantazhi u shpërblye me shkarkim dhe jo me “negociata”.
Disa javë më vonë shantazhisti bëri të penduarin duke më kërkuar falje në celular dhe po kështu edhe takim i cili u zhvillua te “Piazza”.
Pasi kërkoi falje për “nxitimin” më solli një ofertë “fantastike” nga Edi Rama.
Thelbi i ofertës ishte që unë të bëhesha Kryeministër dhe ta bënim Qeverinë sipas dëshirës tonë dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të na mbështese pa kushte.
“O shoku, – e pyeta, “unë si do jem Kryeministër me 4 deputetë?”
Unë kisha mbi 60 deputetë si Kryeministër dhe u largova vetë se nuk mund të pranoja kushtet e pakicës parlamentare të Fatos Nanos.
Në fund, shantazhisti më tha se nëse unë bëhesha Kryeministër ai nuk do t’i nxirrte përgjimet.
Kuptohet që këtu biseda mbaroi “me sukses” sepse “i penduari” u bë recidivist.
Pak ditë më vonë një pronar mediash që ishte mik i përbashkët më kërkoi takim urgjent te “Rogneri”.
Kujtova se kishte ndonjë hall të tij, por ai kishte merakun tim.
Më tregoi një foto ku isha unë me shantazhistin në zyrën e këtij të fundit.
“Çfarë urgjence ka kjo?”, – e pyeta unë.
“Ma tha ai, – më tha pronari i medias, “dhe do e publikojë përgjimin nëse nuk e pranon propozimin”.
“Faleminderit prej teje, – i thashë, “por i thuaj atij të publikojë ç’të dojë dhe kur të dojë”.
Natyrisht shantazhisti duke menduar se unë e merrja për bllof kërcënimin e tij më kishte çuar lajmësin për të më treguar “provën” se nuk bënte bllofin.
Por si njeri i përgjegjshëm që e di shumë mirë se çfarë firmos, por edhe se çfarë them në çdo rrethanë, isha shumë i qetë dhe i sigurt se asgjë implikuese nuk mund të kishte në bisedat e mia.
Për të gjitha këto, natyrisht kam informuar Kryeministrin Berisha. Ndërkohë kisha marrë masat për zëvendësimin e tij si deputet, me deputet të Partisë Socialiste, në kohën që ai do të “dezertonte” nga shumica jonë.
Po kështu, gjatë Dhjetorit 2010 dhe fillim Janarit 2011, gati 90% të kohës e kalova në krye të Komitetit Qeveritar për Emergjencën për shkak të përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë.
Natyrisht edhe për shkak të lidhjeve të mia personale edhe me deputetë e funksionarë të Partisë Socialiste në këto dy zona, u informova për porositë që kishin marrë për të përgatitur njerëzit, që të bëheshin gati për një revolt të paparë, sepse do plaste një superskandal në media në fillim të Janarit.
Kështu, që montazhi i 11 Janarit nuk ishte aspak i papritur për mua dhe disa të tjerë.
Menjëherë në 12 Janar, në mëngjes, i nis një shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit, ku e njoftoja se hiqja dorë nga imuniteti im.
Pas këtij veprimi, dola në konferencë shtypi në Ministrinë e Ekonomisë, ku bëra publik heqjen dorë nga imuniteti si deputet dhe e ftoja Prokurorinë të hetonte rastin dhe po kështu iu përgjigja çdo pyetje të gazetarëve.
Ndërkohë, ditën tjetër, më 13 Janar, pranova ftesën e gazetarit të njohur, Blendi Fevziu, për të dalë në “arenë” me një panel analistësh që do i zgjidhte ai.
Pas një debati të flaktë dhe të pakompromis, pyetjes se a do jepja dorëheqje iu përgjigja se unë kam hequr dorë nga imuniteti dhe kjo mjafton.
Por ditën tjetër, sapo gdhiu dita, një i panjohur trokiti të më sillte një porosi nga jashtë, nga një mik i jashtëzakonshëm dhe shumë i informuar.
Porosia ishte se duhet të japësh sa më parë dorëheqjen dhe ti nuk duhet të jesh në zyrë (Ministri) kur të vriten njerëz, sepse situate është më e rënduar se ç’e mendon ti.
Duke patur besim absolut në integritetin dhe dashamirësinë e porosi-dërguesit, shkova menjëherë në zyrë dhe përgatitja dorëheqjen e parevokueshme nga Zv/Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë dhe shkova të takoja Kryeministrin Berisha për t’i bërë të ditur vendimin e ri, si domosdoshmëri për të lehtësuar pozitën e Qeverisë, si edhe për të sfumuar sa të mundej alibinë e gjak-kërkuesve.
Po kështu, i paraqita propozimin për zëvendësuesit e mi, nga postet e Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë dhe nga ajo ditë (pra një javë para 21 Janarit) nuk shkela më në atë ministry.
Po atë ditë, në mesdrekë, Asambleja e Partisë Socialiste shpalli 21 Janarin, si ditën e protestës dhe qametit.
Ndërkohë pak ditë para 21 Janarit, i panjohuri, u rishfaq, për të sjellë të dhëna të reja dhe një porosi të re për mua.
Të dhënat e reja ishin se situata po rëndohej pasi organizatorët po rekrutonin shumë elementë kriminalë në terren për 21 Janarin.
Po kështu, porosia e mikut nga jashtë ishte se më 21 Janar, unë nuk duhet të qëndroja në shtëpi pasi banesa mund të sulmohej nga elementë kriminalë.
Përgjigjia ime ishte falenderuese për mikun tim, për kujdesin e tij, por i thashë se nga zyra ika se nuk është e imja, por nga shtëpia nuk mund të largohem.
Pas kësaj, më 18 Janar kam bërë konferencë shtypi në selinë e LSI-së ku kam paralajmëruar Edi Ramën për të hequr dorë nga rekrutimi i elementëve kriminalë për të nxitur dhunë dhe gjakderdhje.
Të shqetësuar për mosvlerësimin e duhur të organizmit të “nëndheshëm” të protestës nga autoritetet ligjzbatuese në 20 Janar, i kemi dërguar një letër informuese Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të dhënat më shqetësuese që kishim ne si LSI.
Fatkeqësisht, dhuna nuk u parandalua në kohën e duhur edhe pse për ditë të tëra në televizione bëhej thirrje e hapur për dhunë dhe viktima.
Nuk ishin socialistët (anëtarët dhe simpatizantët) që sulmuan me dhunë (gura, hunj, etj) Kryeministrinë.
Socialistët ishin te ura e Lanës dhe përtej.
Por ishin të rekrutuarit dhe të importuarit që për 3-4 orë sulmuan pa rreshtur policinë derisa u konfrontuan me Gardën.
Parandalimi i elementëve kriminalë përpara mitingut, nuk kishte funksionuar.
As marrja e masave për shpërndarjen paqësore të demonstruesve.
Nuk është detyra ime të hetoj se përse nuk u parandalua një gjakderdhje e paralajmëruar me kohë.
Madje kjo duhej të hetohej në kohë nga Prokuroria e Përgjithshme.
Por gjurmët e organizatorëve atëherë ishin shumë të freskëta dhe u duhej dhënë kohë për t’i “pastruar”.
Por, le t’i kthehemi disa të vërtetave, me video-montazhin që u përdor si alibi për të thirrur protestën.
Së pari, as një agjensi zyrtare e SHBA, Britanisë së Madhe etj, nuk pranoi të bëjë ekspertizën e videos, sepse e dinin më mirë se sa ne se çfarë ishte.
Së dyti, çuditërisht në vend që Prokuroria ta çonte videon te një ekspert audio, e çoi te një ekspert privat kompjuterash (pra video).
Ndërkohë, aty nuk ishte problem te video, pra se kush ishin dy personat.
Problemi i vetëm dhe kryesor ishte vërtetësia e bisedës të shoqëruar me titra dhe nëpërmjet edhe montimeve të bëra.
Pra, rastësisht eksperti amerikan, gjatë kërkimit të tij në orën e dorëzuar nga “denoncuesi i korrupsionit”, gjeti plot video të tjera të tij, të cilat ai i kishte bërë “delete” duke menduar se ishin zhdukur përgjithmonë.
Rekuperimi i tyre, përveç se ekspozonte plot politikanë, biznesmenë dhe gazetarë të përgjuar, jo vetëm në zyra, por edhe në shtëpi, evidentoi edhe një video ku dukeshin vërtet me sy 80 mijë euro që zotëria i merrte nga Zv/Ministri i tij në shtëpi.
Për këtë, Prokuroria u detyrua formalisht të niste një hetim, meqënëse eksperti amerikan ja kishte dërguar me procesverbal këtë rast.
Por këtë askush nuk e përmend dhe mirë bëjnë (b)analistët.
Le të vazhdojmë me hetimin tim.
Në mënyrë të qëllimshme, Prokuroria, shkelte vazhdimisht procedurat e hetimit duke shpresuar se unë do të kërkoja mbyllje me procedurë të çështjes në gjykatë.
Edhe pse ne kërkuam dhe insistuam që ekspertët tanë të ishin të pranishëm në çdo ekspertim që do përzgjidhte Prokuroria, kjo nuk ndodhi kurrë qëllimisht.
Çuditërisht, Prokurori që u caktua të drejtojë çështjen time, në periudhën e zbatimit të Reformës në Drejtësi, në kuadër të verifikimit të figurës, u shpall nga Autoriteti i Dosjeve, si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Por Gjykata më pas deklaroi se kishte qenë një person tjetër dhe kështu, zotëria u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që pagëzoi edhe Prokurorët e parë të SPAK-ut.
Tani le të kalojmë te Gjykata dhe vendimi i saj.
Dëgjojmë (b)analistë që thonë se Meta e dorëzoi imunitetin pasi kishte garanci te drejtësia, etj.
Dua t’ju siguroj se në jetën time nuk kam emëruar kurrë ndonjë prokuror apo gjykatës.
Së dyti, nëse unë apo Z. Berisha, do kishim kaq ndikim te drejtësia, përse do të zgjidhnim relator të çështjes Z. Dvorani, i cili dihet se është shumë militant partie edhe pse i njeh mirë ligjet?
Ja pra që ndërhyrje nuk mund të kishte.
Po kështu, unë mund të kisha kërkuar përjashtimin e Z. Dvorani nga relator dhe anëtar i trupës gjykuese, pasi ai kishte lidhje shumë të afërta me personin që më përgjoi mua.
Por unë nuk e bëra kurrë këtë.
Po kështu, nuk kërkova që çështja të mbyllej për shkak të shkeljes së procedurave nga Prokuroria, por i shkuam gjykimit me themel, deri në fund.
Rezultati, siç dihet, ishte 5 – 0.
Edhe vet relatori i çështjes, Z. Dvorani, votoi për pafajësinë time, si katër kolegët e tjerë.
Por për të “ngushëlluar” shokët e partisë bëri një shënim, se për kaq sa kemi parë dhe hetuar, është i pafajshëm, por mirë do ishte që të zgjasnin hetimet.
Pra nga dy vjet hetime, të vazhdonte pa mbarim, aq sa i duhej “Partisë”.
Me gjithë presionin që kishte nga njerëzit e Partisë Socialiste, Z. Dvorani, nuk votoi siç donin ata, në mënyrë që të kishte një votë kundër, të cilën socialistët do ta trumbetonin kudo, brenda e jashtë vendit, si vendim i “pakicës të pakorruptuar”, e përralla të tjera si këto.
Ndërkohë paralelisht, zotëria që më kishte përgjuar mua, ishte zhytur në telashe të mëdha, sepse i kishin dalë jashtë kontrollit videot e pafundme që i kishte bërë vetes me të tjerë.
Një njeri i papërgjegjshëm që rrinte afër meje në ato kohë, kishte vendosur një gjobë të rëndë duke përdorur një foto spekulative.
Përsëri, miku i përbashkët, që më solli foton në “Rogner”, më kërkoi takim urgjent në emër të tij.
Pa asnjë dëshirë, por për shkak se doja të dija të vërtetën, meqënëse ishte përmendur emri im nga gjobvënësi, i prita të dy, në një ekspozitë pikturash atë kohë, në Gjirin e Lalzit.
Pasi kërkoi falje për keqpërdorimin e përgjimit të tij nga Edi Rama për 21 Janarin, më sqaroi edhe rrethanat e gjobvënies nga ish–mbështetësi im, bazuar mbi një foto spekulative.
“Qetësohu, – i thashë, “se është si fotoja që më dërgove ti me këtë mikun e përbashkët në Rogner”.
“Asnjë lekë nuk je i detyruar t’i paguash askujt, – i thashë, “por video-montazhin tënd e paguan katër të pafajshëm me jetën e tyre”.

Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi më 12 Shtator, por edhe më 14 Shtator 1998.
Ndodhën dy ngjarje që nuk duhej të ndodhnin, por të kushtëzuara nga njëra-tjetra (shkak-pasojë), vrasja e Azem Hajdarit ishte një ngjarje e paralajmëruar që duhej të ishte parandaluar.
Vrasja e tij nuk ishte produkt i një konflikti “tropojanësh”, por e qëndisur me kujdes nga duar të padukshme dhe mjeshtërore që shfrytëzuan persona të caktuar, për të arritur objektivat e tyre.
Më duhet të theksoj, se personi më i painteresuar të ndodhte një gjë e tillë, ishte Fatos Nano.
Por përmasat e kësaj vrasje, vendi ku ndodhi, mosndalimi i automjeteve dhe fakti se disa prej tyre ishin drejtues policie, vetvetiu do të bënin si përgjegjës politik për këtë vrasje, Kryeministrin dhe jo Ministrin e Brendshëm që ishte më shumë figurë teknike nga një parti aleate.
Por, midis 12 dhe 14 Shtatorit qëndron 13 Shtatori, i cili ishte i rëndësishëm për t’i lidhur dy ngjarjet.
Paraditen e 13 Shtatorit, shpërthen një llavë revolte e militantëve të Partisë Demokratike drejt Kryeministrisë, duke paralajmëruar kështu “tsunamin” për ditën tjetër.
Në mbrëmje, Kryeministri Nano, na bëri një mbledhje në zyrën e tij, ku merrnin pjesë disa anëtarë të Qeverisë dhe të Kryesisë së Partisë Socialiste.
Pasi bëri një vlerësim të rrezikshmërisë së lartë të situatës dhe potencialit të paparashikueshëm e destabilizues për të nesërmen, ai na njohu me një takim që kishte patur me dy nga ambasadorët më të rëndësishëm në Presidencë për situatën.
Një prej tyre i kishte sugjeruar të jepte dorëheqjen me qëllim ç’tensionimin e situatës, pasi ngjarja e ndodhur ishte shumë e rëndë.
“Dakord, – u kishte thënë Nano, “po kujt t’ja le Qeverinë?”
Kur Fatosi përmendi një emër që i kishin sugjeruar, të gjithë ata që mezi prisnin t’i zinin vendin, brofën në këmbë dhe thanë, në asnjë mënyrë, e kështu Nano iu bind këtij qëndrimi.
Se cili ishte emri nuk ka rëndësi, se në çdo rast do ishte Partia Socialiste që do të zgjidhte Kryeministrin pasues.
Por u humb një mundësi e madhe për të shmangur 14 Shtatorin e pasojat e tij dhe për këtë ishte përgjegjësia e të gjithë ne atë mbrëmje, që nuk gjykuam më thellë dhe nuk parashikuam pasojat.
Do të kishte qenë shumë më mirë për vendin, por edhe vetë Nanon, që të jepte dorëheqjen atë mbrëmje dhe jo disa ditë më vonë.

Kur unë u bëra Kryeministër një vit më vonë, në Tetor 1999, çështja Hajdari ishte “patatja më e nxehtë” që kërkonte drejtim.
Interesi dhe presioni ndërkombëtar për këtë çështje ishte i fortë dhe konstant.
Po kështu edhe presioni i brendshëm nga opozita.
Menjëherë bëra takim me Prokurorin e Përgjithshëm dhe grupin e pesë prokurorëve të çështjes Hajdari që drejtohej nga Haxhi Giu, nëse unë nuk gaboj.
Qëllimi i takimit ishte nxitja e tyre për zbardhjen e plotë të cështjes dhe sa më shpejt, pasi çështja Hajdari ishte një kosto shumë e rëndë për shtetin dhe Qeverinë socialiste.
Po kështu, dëgjova të gjitha kërkesat e tyre pikë për pikë edhe ato personale.
Interesante është se një nga Prokurorët e çështjes, përmes një këshilltarit tim, më kërkoi një takim konfidencial.
Gjatë takimit ai më bëri një pyetje të çuditshme, se a e kisha seriozisht kërkesën për zbardhjen e plotë të çështjes apo thjesht se ashtu më duhej të flisja.
Natyrisht që u bind se sa e domosdoshme ishte zbardhja e shpejtë e çështjes, pasi po vriteshin disa nga autorët dhe dëshmitarët e çështjes.
Në të njëjtën kohë nisën të shpikeshin disa skandale kundër Ministrit të Mbrojtjes, Hajdaraga dhe Ministrit të Financave, Anastas Angjeli, që njiheshin si miqtë e mi të afërt në atë kohë.
Madje arritën deri atje sa të nxirrnin një gjeneral në media, me uniformë, të sulmonte Ministrin.
E gjitha ishte një presion i orkestruar kundër meje, që të mos shtyja përpara hetimet për vrasjen e Hajdarit.
Atëherë përgjigjia ime ishte ballore, në një mbledhje të Qeverisë, të hapur për mediat, ku deklarova se ne do të gjejmë jo vetëm vrasësit e Azem Hajdarit, por edhe vrasësit e vrasësve të tij.
Më vonë u informova për vendndodhjen e Jaho Salihit, një prej të akuzuarve kryesorë.
U dhashë ultimatum personave përgjegjës, se nëse atij i ndodhte gjë dhe brenda 48 orësh nuk i dorëzohej drejtësisë, do t’i bëja përgjegjës publikisht.
Fatmirësisht, nuk pati surpriza dhe arrestimi, le të themi, shkoi sipas parashikimit.
Ky ishte moment i rëndësishëm jo vetëm për mbylljen e çështjes Hajdari, por edhe për të shkarkuar një pjesë të përgjegjësisë shtetërore për atë që ndodhi në 12 Shtator dhe që duhej të ishte parandaluar.
Qëllimi i këtij shkrimi është jo vetëm për të thënë disa të vërteta, sot në kohën e gënjeshtrave, por mbi të gjitha për të theksuar se edhe 12 Shtatori e 14 Shtatori 1998, por edhe 21 Janari 2011, mund dhe duhej të parandaloheshin.
Dhe meqënëse fjala gjeopolitikë këto kohë mbizotëron, nuk duhet të harrojmë se në fund të vitit 2010, kishte nisur edhe Pranvera Arabe.

Previous Post

“85 sekonda para mesnatës”, shkencëtarët shpallin “Orën e Apokalipsit” për njerëzimin

Next Post

Bizneset që eksportojnë, Rama: Ne mbështesim prodhimin ‘Made in Albania’, një markë cilësie dhe një garanci për tregun e BE-së.

Next Post
Bizneset që eksportojnë, Rama: Ne mbështesim prodhimin ‘Made in Albania’, një markë cilësie dhe një garanci për tregun e BE-së.

Bizneset që eksportojnë, Rama: Ne mbështesim prodhimin ‘Made in Albania’, një markë cilësie dhe një garanci për tregun e BE-së.

  • Trending
  • Comments
  • Latest
Befasia e motit! Meteorologia zbulon çfarë na pret: Shi dhe rrebeshe! Duke nisur nga dita…

Befasia e motit! Meteorologia zbulon çfarë na pret: Shi dhe rrebeshe! Duke nisur nga dita…

June 21, 2024
E bujshme/ “Edi Rama ndahen nga Linda, do të martohet me Alketa Vejsiun”

E bujshme/ “Edi Rama ndahen nga Linda, do të martohet me Alketa Vejsiun”

August 21, 2024
Kujdeset për veshjet e Luizit në BBV, flet Miranda Dupi: Cili prej banorëve vishet më mirë dhe cili më keq

Kujdeset për veshjet e Luizit në BBV, flet Miranda Dupi: Cili prej banorëve vishet më mirë dhe cili më keq

February 9, 2023
Ekskluzive/ Raporti “bombë” i policisë së Lezhës: Gjergj Luca trafikant droge dhe hajdut pronash, komandon Pëllumb Gjokën

Ekskluzive/ Raporti “bombë” i policisë së Lezhës: Gjergj Luca trafikant droge dhe hajdut pronash, komandon Pëllumb Gjokën

September 29, 2023

Aksident në Durrës, dy pasagjere të plagosura

0

23-vjeçarja plagoset me armë zjarri në hotel

0

Masat e reja anticovid në Kosovë/ Kërkohen dy doza vaksine në kufi

0

Arrestohen nga policia, rrahin nënat dhe fëmijët e tyre të mitur

0
Pranohet ndërtimi i parkut solsolar në fshatin Rrakull, në territorin e bashkisë Kavajë

Pranohet ndërtimi i parkut solsolar në fshatin Rrakull, në territorin e bashkisë Kavajë

January 28, 2026
Këshilli i Ministrave zhvillon miratimin e 'kadastrës fiskale', detajet e funksionimit të saj

Këshilli i Ministrave zhvillon miratimin e ‘kadastrës fiskale’, detajet e funksionimit të saj

January 28, 2026
Aksident tragjik në Vaun e Dejës, automjeti në shpejtësi të madhe bie nga ura dhe përfundon në liqen, dy të rinjtë shpëtojnë në mënyrë të fantastike.

Aksident tragjik në Vaun e Dejës, automjeti në shpejtësi të madhe bie nga ura dhe përfundon në liqen, dy të rinjtë shpëtojnë në mënyrë të fantastike.

January 28, 2026
Negociatat ndërmjet SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës: "Bisedimet do të vazhdojnë", deklaron zëdhënësi i Kremlinit, duke theksuar se gjithçka varet nga qasja e palëve në bisedim.

Negociatat ndërmjet SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës: “Bisedimet do të vazhdojnë”, deklaron zëdhënësi i Kremlinit, duke theksuar se gjithçka varet nga qasja e palëve në bisedim.

January 28, 2026
Pranohet ndërtimi i parkut solsolar në fshatin Rrakull, në territorin e bashkisë Kavajë
LAJME

Pranohet ndërtimi i parkut solsolar në fshatin Rrakull, në territorin e bashkisë Kavajë

by timoni.al
January 28, 2026
0

Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e një centraleje gjeneruese të energjisë elektrike fotovoltaike në fshatin Rrakull, Bashkia Kavajë. Vendimi...

Read moreDetails
Këshilli i Ministrave zhvillon miratimin e 'kadastrës fiskale', detajet e funksionimit të saj

Këshilli i Ministrave zhvillon miratimin e ‘kadastrës fiskale’, detajet e funksionimit të saj

January 28, 2026
Aksident tragjik në Vaun e Dejës, automjeti në shpejtësi të madhe bie nga ura dhe përfundon në liqen, dy të rinjtë shpëtojnë në mënyrë të fantastike.

Aksident tragjik në Vaun e Dejës, automjeti në shpejtësi të madhe bie nga ura dhe përfundon në liqen, dy të rinjtë shpëtojnë në mënyrë të fantastike.

January 28, 2026
Negociatat ndërmjet SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës: "Bisedimet do të vazhdojnë", deklaron zëdhënësi i Kremlinit, duke theksuar se gjithçka varet nga qasja e palëve në bisedim.

Negociatat ndërmjet SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës: “Bisedimet do të vazhdojnë”, deklaron zëdhënësi i Kremlinit, duke theksuar se gjithçka varet nga qasja e palëve në bisedim.

January 28, 2026
Milani niset drejt një lëvizjeje sulmuese në merkato, me kuqezinjtë që shprehin interes për yllin e Manchester Cityt.

Milani niset drejt një lëvizjeje sulmuese në merkato, me kuqezinjtë që shprehin interes për yllin e Manchester Cityt.

January 28, 2026

Shfletoni sipas Kategorisë

Lajmet e fundit

Pranohet ndërtimi i parkut solsolar në fshatin Rrakull, në territorin e bashkisë Kavajë

Pranohet ndërtimi i parkut solsolar në fshatin Rrakull, në territorin e bashkisë Kavajë

January 28, 2026
Këshilli i Ministrave zhvillon miratimin e 'kadastrës fiskale', detajet e funksionimit të saj

Këshilli i Ministrave zhvillon miratimin e ‘kadastrës fiskale’, detajet e funksionimit të saj

January 28, 2026

© 2024 timoni.al

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • LAJME
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • SOCIALE
    • Ekonomi
  • OP-ED
  • Sport
  • KOSOVA
  • Vendi
  • JETË/STIL
  • Rajoni
  • BOTË
  • Kuriozitete
  • Shendet
  • Media
  • Tech
  • TJERA

© 2024 timoni.al