Interi do të përballet këtë të mërkurë me Borussinë e Dortmundit në Signal Iduna Park, me shpresën për të siguruar kualifikimin direkt në 1/8 e finaleve të Champions League, pa kaluar në fazën e playoff-it. Zikaltrit kanë performuar mirë në kampionat, duke krijuar një distancë nga ndjekësit, por trajneri Christian Chivu është tërësisht fokusuar në kompeticionin evropian.
Chivu komentoi për situatën e skuadrës në kampionat, duke theksuar se sfida në Champions League është prioritare: “Arratia në kampionat? Ky është një tjetër kompeticion dhe jemi pak prapa. Duam të bëjmë një ndeshje të madhe, ajo që na ka munguar së fundmi,” shpjegoi ai. Trajneri konfirmoi se skuadra do të hyjë në fushë me synimin për të fituar, por edhe se do të vlerësohet rezultati në fund të ndeshjes.
Një lajm i rëndësishëm është se Nicolò Barella nuk do të jetë i pranishëm në këtë ndeshje për shkak të një problemi muskular. Chivu sqaroi se ai nuk u nis me skuadrën për shkak të një dëmtimi gjatë stërvitjes. “Vendosëm që të mos rrezikonim,” theksoi ai. Në lidhje me lojtarët me kartonë të verdhë, ai theksoi se nuk ka kohë për llogaritje, duke u fokusuar në daljen me formacionin më të mirë të mundshëm.
Më tej, Chivu vlerësoi kundërshtarët nga Dortmund, duke i cilësuar ata si një nga skuadrat më të mira në Evropë, duke theksuar forcën dhe traditën e tyre. “Ka shumë pak ekipe që arrijnë të fitojnë në këtë stadium,” shtoi ai, duke shprehur vullnetin e skuadrës për të dhënë maksimumin dhe për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm.
Interi dhe Chivu shpresojnë për një paraqitje të fortë dhe për një rezultat pozitiv në këtë ndeshje të rëndësishme për të ardhmen në Champions League.















