Një ngjarje e rëndë ndodhi në Corso Marconi gjatë natës mes 22 dhe 23 janarit, kur Davide Borgione, një djalë 19-vjeçar, u gjet i shtrirë në asfalt pranë një biçiklete elektrike. Në orën 06:00 të mëngjesit, Davide kishte mbetur përtokë nën shi për një kohë të gjatë, pa ndihmën e askujt. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një automjet që kaloi pranë tij dhe që dyshohet se mund ta ketë goditur, por shoferi, i cili më vonë u paraqit në polici, deklaroi se nuk e kishte vënë re, prandaj u largua.
Një moment akoma më tronditës ishte kur një burrë i afrohet Davide dhe i vjedh portofolin, duke mos ofruar ndihmë dhe duke u larguar nga vendngjarja. Ndërkohë, Davide po kthehej në shtëpi pas një nate në diskotekë me miqtë, dhe dëshmitarët thonë se ai nuk ishte i dehur. Më pas, disa kalimtarë ndërhynë dhe thirrën shërbimet e emergjencës.
Ai ishte pa helmetë në momentin e aksidentit. Ekipi i ambulancës e mbiu në vendngjarje dhe e transportoi në spitalin CTO në Torino, ku u shpall i vdekur nga një traumë e rëndë në kokë. Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, duke shqyrtuar tre hipoteza: përplasje me një automjet, një gjendje shëndetësore të papritur gjatë ngasjes, apo një rrëzim që shkaktoi goditje fatale.
Babai i Davide, Fabrizio Borgione, ndau ndjenjat e tij duke përshkruar momentin e fundit me të birin, duke thënë se ai e kishte dërguar në diskotekë dhe e kishte parë të buzëqeshte. Fabrizio shprehu keqardhje për grabitjen dhe kërkoi që autori të identifikohet dhe të ndëshkohet, duke theksuar se “është çnjerëzore”.
Hetimet vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e kësaj tragjedie dhe për të identifikuar përgjegjësit.















