Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua sot seanca e radhës gjyqësore ndaj Leonard Dukës, i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos.
SPAK ka kërkuar dënimin me 32 vite burg për Dukën.
Nga ana tjetër, e ëma e viktimës Santiago Malko ka kërkuar dënimin me vdekje për Leonard Dukën, ndërsa avokatja e këtij të fundit, Melina Gjeta, ka argumentuar se konkluzionet e SPAK nuk mbështeten në prova të ligjshme, por në deduksione nga hetime të paplota dhe të paragjykuara.
Prokuroria pretendon se motiv për vrasjen ka qenë hakmarrja për dy plagosje që dyshohet se ka kryer viktima, por ngjarjet mbeten pa autor të identifikuar.
Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se është i pafajshëm dhe se çështja është një montim policor.
Vendimi për këtë çështje pritet të shpallet më 21 janar në orën 11:45.
Avojatja Melina Gjeta: Konkluzionet e SPAK nuk janë të bazuara në provë dhe ligj. Ska asnjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media. Dëshmitari Blendi Teta, ka deklaruar para gjykatës që është kërcënuar dhe vënë në presion nga Policia e Shtetit dhe këto janë shkelje të rënda të ligjit. Dëshmia nuk i shërben më të vërtetës, por fabrikim të provës. Dëshmia e Tetës i cili pretendon në Gjykatë se e ka dhënë në presion nuk mund të përdoret nga Prokurori në konkluzione përfundimtare. Dëshmia e Blendi Tetës konfirmohet edhe nga ajo e Ilir Selmanit, të bashkëpandehurit tjetër. Duke i bërë ato të besueshme. Edhe Selmani ka thënë para kësaj gjykate se janë dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka. Prokuroria thotë se shkak për vrasjen është bërë hakmarrja për dy plagosje që dyshohet se ka kryer viktima Santiago Malko, por ato ngjarje janë ende pa autor dhe hetuesit i kanë pezulluar procedimet pasi nuk kanë gjetur autorët. Si mundet prokurori të përcaktojë autorin e atyre ngjarjeve, ndërkohë që personat kompetent qe i kanë hetuar nuk i kanë identifikuar. Transkripetet e SKY nuk janë prova të ligjshme dhe rezultatet e nxjerra nga to janë të paligjshme sipas legjislacionit shqiptar. Ato hyjnë në cënimin e lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës. Përgjimi i autoriteteve franceze përbën përgjim masiv, s’ka qenë i orientuar. Identifikimi i bërë nga OPGJ të kodeve, ka qenë amator dhe jo i besueshëm, pasi nuk është ndjekur procedura standarde. Vetë Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se ai nuk ka pasur në përdorim aplikacionin Sky.
E ëma e Santiago Malkos: Të dënohet me vdekje.
E ëma e Santiago Malkos: Leonard Duka më ka vrarë djalin. Me solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe me tha që s’kam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë.















