Ministria e Migracionit dhe Azilit në Greqi ka propozuar një projektligj të ri që synon të reformojë emigrimin ligjor në vend, duke zbatuar ndryshime të rëndësishme në lëshimin dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit. Qëllimi kryesor është të reduktohet burokracia dhe të përmirësohet situata për ata që kërkojnë leje qëndrimi, në një kontekst ku çështja e emigracionit është bërë përsëri qendrore në debatin publik, si në nivel kombëtar ashtu edhe europian.
Projektligji pritet të dorëzohet në Komisionin përkatës Parlamentar dhe ka si objektiv të ndarë emigrimin ligjor nga ai të paligjshëm. Ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, theksoi se ky projektligj do të përfundojë vonesat dhe bllokimet burokratike që kanë shkaktuar vështirësi për punëtorët dhe bizneset.
Aktualisht, në Greqi gjenden rreth 793 mijë emigrantë me dokumente të rregullta, ndërsa qrë 293 mijë aplikime për leje qëndrimi mbeten të papërfunduara. Vonesat e shkaktuara kanë krijuar pasiguri, pasi shpesh lejet lëshohen pas skadimit, çka ndikon në punësim dhe integrimin shoqëror. Me rregullat e reja, pritet që rreth 90 mijë leje të zgjidhen shpejt, ndërsa 90 mijë të tjera në dy vitet e ardhshme.
Projektligji parashikon rinovimin automatik të disa lejeve të qëndrimit për emigrantët që vazhdojnë të punojnë për të njëjtin punëdhënës, duke eliminuar nevojën për dorëzimin e dokumenteve të panevojshme. Çdo leje e re do të ketë një kohëzgjatje minimale prej dy vitesh, duke parandaluar vonesat administrative që dëmtojnë statusin ligjor të emigrantëve.
Një dispozitë e rëndësishme lejon emigrantët që kanë jetuar ligjërisht në Greqi për pesë vjet ose më shumë të riaplikojnë për leje qëndrimi, pas korrigjimit të mangësive procedurale. Përveç kësaj, administratat që shqyrtojnë aplikimet do të forcohen dhe do të lejohet transferimi i dosjeve mes rajoneve për të lehtësuar procesin.
Ministria gjithashtu planifikon të përmirësojë situatën për emigrantët mbi 65 vjeç, duke u mundësuar atyre të qëndrojnë në vend pa detyrimin për të punuar, për sa kohë trajtohen me sigurim shëndetësor dhe pensione private. Një novitet tjetër është rregullimi që lejon ndryshimin e punëdhënësve pa humbur statusin ligjor të qëndrimit, duke rritur lëvizshmërinë në tregun e punës.















