Në Bullgari, kanë nisur ritualet e vallëzimeve të Karnavaleve Kukeri, tradita e njohur për rajonin. Burrat vishen me kostume dhe maska, duke kaluar nga fshati në fshat dhe duke kërcyer me zile për të larguar shpirtrat e këqij dhe për të shënuar fillimin e Pranverës.
Kaycho Velichkov, një nga organizatorët, theksoi ruajtjen me fanatizëm të maskave, që janë trashëguar brez pas brezi, pa u tjetërsuar. Ai shpjegoi se ceremonia, e njohur si Surva, ndihmon në mbajten e pastër të vitit dhe për të siguruar që ky të jetë i qetë dhe i suksesshëm. “Askush nuk e di se kur ka filluar Surva jonë,” tha Velichkov. Ai theksoi rëndësinë e traditës në veshje dhe maska, dhe se grupi i tij, i përbërë gjithashtu nga valltarë që mbajnë zilet, hyn në çdo oborr për të dëbuar shpirtrat e këqij.
Kukeri, ose Surva, është një traditë shumë e lashtë bullgare me rrënjë pagane, që lidhet me rite dimërore dhe ato të fillimit të pranverës. Gjatë Perandorisë Osmane, kjo traditë u ruajt nga komunitetet lokale si një shprehje e identitetit kulturor, duke vazhduar të transmetohet brez pas brezi. Burrat vishen me maska të frikshme dhe kostume prej lëkure, duke kryer valle rituale dhe duke hyrë në oborre e shtëpi për të pastruar hapësirën nga e keqja.
Sot, festivali Surva festohet çdo vit në muajin janar dhe është një nga ngjarjet folklorike më të njohura në Bullgari. Ky festival është njohur edhe ndërkombëtarisht si pjesë e trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe ruan forma, maska dhe role tradicionale të pandryshuara për shekuj me radhë.















