Situata në fshatin Hasturkas, që i përket njësisë administrative Libofshë, mbetet problematike edhe pas 24 orëve nga delja e lumit Seman nga shtrati. Ndërsa niveli i ujit ka rënë lehtë me rreth 20 centimetra, në banesat e përmbytura prania e ujit vazhdon të jetë mbi një metër, duke i bërë ato të pabanueshme. Rreth 20 familje janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim në zona më të sigurta.
Dëmet në zonë janë të konsiderueshme, duke përfshirë ndjeshëm stane, tokë bujqësore dhe kultura të ndryshme si vreshta dhe ullinj, si dhe koshere bletësh. Kjo situatë ka ndikuar në mënyrë të rëndë në ekonominë e banorëve. Në këtë kontekst, ata kërkojnë dërgimin e sa më shpejtë të ekipet e verifikimit nga qeveria për të evidentuar dëmet dhe për të mundësuar dëmshpërblime.
Një tjetër shqetësim është çarja e argjinaturës së lumit Seman në disa segmente, që paraqet një rrezik të madh, sidomos me parashikimet për reshje të reja shiu. Banorët i kërkojnë Bordit të Kullimit të ndërhyjë urgjentisht për të mbyllur çarjet dhe për të parandaluar rrezikun e një përmbytjeje të dytë.
Sipas informacioneve nga terreni, situata po shkon Gradualisht drejt normalizimit. Ka pasur disa shpendë të ngordhur, por fatmirësisht nuk ka bagëti të mbytura, falë ndihmës së forcave të ushtrisë që kanë asistuar në evakuimin e bagëtive nga zonat e rrezikuara. Edhe pse disa banorë kanë mbetur të izoluar për shkak të përmbytjes, ata janë evakuuar dhe sistemuar në vende të sigurta.
Situata në Hasturkas vazhdon të monitorohet me vëmendje. Banorët presin masa konkrete dhe ndërhyrje të shpejta për riparimin e argjinaturës dhe për një vlerësim të plotë të dëmeve të shkaktuara nga përmbytja.















