Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka investuar më shumë se një vit në testimin e një pajisjeje të blerë gjatë një operacioni të fshehtë, e cila është e lidhur me “Sindromën e Havanës”, një grup misterioz simptomash shëndetësore që kanë prekur spiunë, diplomatë dhe ushtarakë amerikanë. Pajisja, e blerë nga Homeland Security Investigations (HSI) me ndihmën e fondeve të siguruara nga Pentagoni, ka kushtuar disa milion dollarë.
Sipas burimeve, pajisja prodhon valë radio të pulsueshme, teknologji që disa ekspertë e kanë përmendur si një nga shkaktarët e simptomave të raportuara. Ajo përmban komponentë ruse dhe është e vogël, e cila mund të transportohet lehtësisht.
“Sindroma e Havanës” u shfaq për herë të parë në vitin 2016, kur diplomatët amerikanë në Kubë filluan të shfaqin simptoma si marramendje dhe probleme neurologjike. Gjatë viteve, raste të ngjashme janë raportuar gjithashtu në vende të tjera. Edhe pse në vitin 2023, komuniteti i inteligjencës amerikane vlerësoi se ishte “shumë e pamundur” që këto raste të ishin rezultat i sulmeve të qëllimshme nga shtete të huaja, disa zyrtarë konfirmuan se nuk mund ta përjashtonin këtë mundësi.
Një panel hetimor në vitin 2022 kishte sugjeruar se disa raste mund të ishin shkaktuar nga energji elektromagnetike e drejtuar. Zbulimi dhe testimi i pajisjes kanë rihapur debatin brenda qeverisë amerikane, duke ngritur shqetësime mbi përhapjen e teknologjive të ngjashme, që mund të paraqesin rrezik për zyrtarët amerikanë jashtë vendit.
Viktimat e Sindromës së Havanës e kanë pritur këtë zhvillim si një konfirmim të shqetësimeve të tyre. Marc Polymeropoulos, ish-zyrtar i CIA-s, i cili thotë se u traumatizua në një sulm në Moskë në vitin 2017, kërkoi një ndjesë publike, duke theksuar se viktimat janë trajtuar padrejtësisht për një kohë të gjatë.
Autoritetet amerikane ende nuk kanë dhënë një koment zyrtar, ndërsa hetimet dhe testimet mbi pajisjen vazhdojnë.















