Të paktën dy persona kanë humbur jetën gjatë protestave të përshkallëzuara në Iran, pas rritjes së çmimeve dhe rënies së monedhës kombëtare. Ngjarjet kryesore kanë ndodhur në qytetin Lordegan, në jug-perëndim të vendit, ku protestuesit janë përplasur me forcat e sigurisë.
Raportime nga agjencia gjysmëzyrtare Fars, si dhe nga grupi për të drejtat e njeriut Hengaw, kanë konfirmuar vdekjet. Video që qarkulluan në rrjetet sociale treguan skena të dhunshme, me makina të djegura dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Po ashtu, një raport i medias tregon se një anëtar i Gardës Revolucionare ka mbetur i vrarë gjatë përplasjeve në qytetin Kudasht, megjithatë protestuesit pretenduan se ai ishte një nga ta dhe ishte qëlluar nga policia.
Si pasojë e tensioneve, 13 pjesëtarë të policisë dhe të forcave Basij kanë marrë plagë nga hedhja e gurëve. Në një përpjekje për të kontrolluar situatën, shkollat, universitetet dhe institucionet publike u mbyllen të mërkurën, me arsyetimin se ishte një masë për kursimin e energjisë, por shumë iranianë e perceptuan këtë si një tentativë për të ndaluar protestat.
Presidenti Masoud Pezeshkian pret që qeveria të dëgjojë “kërkesat legjitime” të protestuesve, ndërsa prokurori i përgjithshëm, Mohammad Movahedi-Azad, paralajmëroi se çdo përpjekje për të shkaktuar paqëndrueshmëri do të përballet me një “përgjigje vendimtare.” Kjo situatë pasqyron tensionet e vazhdueshme sociale dhe ekonomike në Iran, ku politika dhe ekonomia janë në një krizë të thellë, duke shkaktuar indinjatë mes qytetarëve.















