Gjatë konferencës vjetore me gazetarët, Kryeministri Edi Rama diskutoi për avancimin e ushtrisë shqiptare dhe sistemin mbrojtës të vendit. Ai theksoi se Shqipëria disponon raketat Javelin dhe tre anije patrulluese, duke siguruar se vendi ka ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshirë edhe Serbinë.
Rama nënvizoi ambicjen e qeverisë për të arritur standardet mesatare të vendeve të NATO-s në aspektin financiar për ushtrinë. “Ky vit na gjen me një sistem raketor Javelin, na gjen me tre anije patrulluese që i kemi marrë si dhuratë nga Italia, dhe na gjen me radarë falë bashkëpunimit me Francën,” deklaroi ai.
Në të njëjtën linjë, Kryeministri shpjegoi planin për të zhvilluar industri ushtarake në Shqipëri, duke përmendur prodhimin e dronëve luftarakë dhe sistemeve antidron. Ai paralajmëroi se deri në vitin 2026 do të shihen produktet e para të kësaj industrie.
Gjithashtu, Rama theksoi se do të vazhdojnë punët për të nënshkruar kontrata të reja në industrinë detare dhe ajrore, duke shpresuar se kjo do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Në përfundim, ai theksoi se ambicia kryesore mbetet që Shqipëria të bëhet një prodhues aktiv në fushën e industrisë ushtarake.















