Fluksi i lëvizjeve në pikën kufitare të Morinës ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia Kufitare dhe Migracioni Morinë, 10 mijë e 684 shtetas kanë hyrë në Shqipëri, duke përdorur 4 mijë e 472 automjete. Megjithatë, më i lartë është numri i qytetarëve që kanë dalë nga Shqipëria, me 12 mijë e 601 persona, dhe 4 mijë e 976 automjete, duke treguar një lëvizje të theksuar drejt Kosovës.
Pikërisht për të menaxhuar këtë fluks, autoritetet kanë vendosur të operojnë me 12 sportele në të dy anët e kufirit, duke synuar të reduktojnë pritjet e gjata për qytetarët. Shkaku kryesor i këtij fluksi në dalje lidhet me emigrantët kosovarë, shumica e të cilëve vijnë nga Italia, Zvicra dhe Gjermania. Ata po kalojnë tranzit përmes Shqipërisë, për të festuar ndërrimin e viteve apo për t’u angazhuar në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen nesër.
Autoritetet kufitare janë të angazhuara dhe në gatishmëri për të menaxhuar situatën edhe në orët në vijim, duke u siguruar që të gjitha procedurat të kryhen me sa më shumë efikasitet. Kjo situatë tregon jo vetëm lëvizshmërinë e madhe mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe rëndësinë e pikës kufitare të Morinës si një arterie kryesore lidhëse midis dy vendeve.















