Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.6 ballë goditi prefekturën Aomori në veri të Japonisë, pak pas orës 23:00 të hënës, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë. Epiqendra ishte e vendosur 80 kilometra larg bregut lindor të Aomorit, me një thellësi prej 50 kilometrash. Pas këtij ngjarjeje, ishte lëshuar një paralajmërim për cunami për tre prefektura: Aomori, Hokkaido dhe Iwate.
Menjëherë pas tërmetit, Shërbimi Meteorologjik konfirmoi se në disa zona ishte regjistruar një cunami prej 30-50 centimetrash, duke detyruar autoritetet të nisin thirrje për evakuim të banorëve në zonat bregdetare dhe t’i drejtojnë ata në vende më të larta. Intensiteti i tërmetit, sipas shkallës japoneze nga 1 deri në 7, ishte 6+. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se goditja ishte ndjerë në qytetin e Misawa.
Më pas, rreth 20 minuta pas tërmetit fillestar, një pasgoditje me magnitudë 5.6 ballë u regjistrua në të njëjtën zonë detare. Sipas raportimeve nga mediat lokale, dridhjet janë ndjerë deri në Tokio. Japonia, e vendosur në një pikë ku përplasen disa pllaka kontinentale dhe oqeanike, regjistron midis 1,500 dhe 2,000 tërmete çdo vit, të cilat shpesh janë të lehta, por ndodhin edhe goditje më të forta.
Një nga tërmetet më shkatërruese në historinë e Japonisë ndodhi në vitin 2011, kur u regjistrua një ngjarje e fortë që shkaktoi valë të mëdha cunami, disa prej të cilave arritën deri në 40 metra. Ky fenomen e bën Japoninë një nga vendet më të rrezikuara nga tërmetet dhe cunamit në botë, duke e detyruar atë të zhvillojë një sistem të ndihmës emergjente dhe masash të parandalimit për të mbrojtur popullatën e saj.















