Departamenti i Policisë Kriminale, përmes Fast Albanias dhe me mbështetje të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë dhe Zyrës së Hetimeve Kriminale të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka realizuar një operacion të rëndësishëm për kapjen e shtetasit shqiptar, Kamer Duhanxhiu, 44 vjeç, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 1999. Duhanxhiu është dënuar nga autoritetet italiane me 30 vjet burgim për veprat penale “Vrasja” mbetur në tentativë dhe “Vrasja në rrethana cilësuese,” të ndodhura në vitin 1999 në Asti, Itali.
Bashkëpunimi ndërmjet agjencive ligjzbatuese në Shqipëri dhe Itali, si dhe me Agjencinë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare (ICE) në SHBA, ka rezultuar në arrestimin e tij në Florida, gjatë këtij viti. Pas kapjes, ai u deportua në Shqipëri me fluturim çarter më 19 nëntor 2025.
Sapo Duhanxhiu mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza”, ai u arrestua për ekstradim drejt Italisë, në bazë të urdhrit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane. Tani ai do të përballet me dënimin e tij 30-vjeçar në Itali.
Policia e Shtetit thekson se ky operacion është një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit, duke treguar angazhimin e agjencive partnere për të luftuar krimin ndërkombëtar.















