Ish-mesfushori i Chelseat dhe përfaqësueses së Brazilit, Oscar, është shtruar në spital në Sao Paulo pas një incidenti shqetësues gjatë stërvitjes. 34-vjeçari humbi ndjenjat dhe ra nga biçikleta gjatë një testi fizik, duke mbetur i pandërgjegjshëm për rreth dy minuta përpara se të dërgohej me urgjencë në spital.
Mjekët kanë diagnostikuar Oscar me sinkopë vazovagale, një formë e zakonshme e të fikëtit, që ndodh si pasojë e uljes së papritur të pulsit ose presionit të gjakut. Ai ndodhet tani në Spitalin Israelita Albert Einstein, ku gjendja e tij raportohet si “klinike e qëndrueshme”. Për siguri, do t’i nënshtrohet një studimi elektrofiziologjik për të analizuar aktivitetin elektrik të zemrës dhe për të verifikuar aritmitë e mundshme.
ESPN Brazil ka njoftuar se testet e para janë pozitive, duke e cilësuar zemrën e lojtarit si të paprekur dhe situatën si “më pak të keqen nga të gjitha skenarët e mundshëm”. Megjithatë, ky incident ka ngritur shqetësime për të ardhmen e tij në futboll. Burime tregojnë se Oscar dhe familja e tij po mendojnë mundësinë e daljes në pension pas këtij episodi.
Karriera e Oscar filloi te Sao Paulo në vitin 2004, dhe ai arriti famë ndërkombëtare te Internacional para se të transferohej në Chelsea në vitin 2012 për rreth 25 milionë paund. Në Angli, ai fitoi tituj të Premier Ligës, Kupën e Ligës dhe Europa League. Në vitin 2017, Oscar u transferua te Shanghai SIPG për 60 milionë paund, duke u bërë një nga futbollistët më të paguar në botë. Ai qëndroi në Kinë për tetë vjet, duke fituar tre tituj kampion dhe duke grumbulluar mbi 175 milionë paund.
Pas largimit nga Kina në vitin 2024, ai i rikthehet futbollit pas 22 ditësh pa klub, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare me Sao Paolon në dhjetor të vitit të kaluar. Klubi pritet të ofrojë një përditësim pas testeve të fundit, ndërsa e ardhmja e Oscar në futboll mbetet e pasigurt.















