Mediat greke njoftojnë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të mbërrijë në Athinë të dielën, vizitë e paralajmëruar nga Ministria e Jashtme greke dhe e konfirmuar së fundmi. Sipas planit, Zelensky do të aterrojë në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në orën 12:20. Ai do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës, Konstantinos Tasulas, kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, dhe kryetarin e parlamentit, Nikitas Kaklamanis.
Një ekip parapërgatitor, përbërë nga rreth 12 persona nga ambasada ukrainase dhe ekipi i sigurisë së Zelenskyt, ka vizituar vendet për provat ceremoniale. Ardhja e presidentit lidhet me zhvillimet në marrëdhëniet greko-amerikane dhe planin për zgjerimin e bashkëpunimit energjetik mes Greqisë dhe SHBA-së.
Greqia pritet të shndërrohet në një portë për gazin natyror të lëngshëm amerikan (LNG) përmes Aleksandrupolis dhe Revithousës, që ka një ndikim të drejtpërdrejtë për Ukrainën. Plani i ashtuquajtur “korridori vertikal” energjetik do të nisë nga Aleksandrupoli dhe do të kalojë nëpër Bullgari, Rumani, Moldavi, për t’u lidhur me Ukrainën. Ky është një prioritet strategjik për Shtetet e Bashkuara, me synimin për të reduktuar varësinë nga gazi rus, dhe përbën një nga temat kryesore në axhendën e Zelenskyt, veçanërisht pas uljes së rezervave të gazit në Ukrainë.
Qeveria ukrainase po planifikon të rrisë me 30% importet e gazit natyror për të përballuar dimrin, pas sulmeve ajrore ruse që dëmtuan rëndë infrastrukturën energjetike. Ndihma e kërkuar pritet të sigurohet nga gazin e lëngshëm (LNG) amerikan që do të kalojë përmes Greqisë. Ndërkohë, pavarësisht se projekti ka përfshirje të gjërë në Europë, vetëm Ukraina ka shprehur gatishmërinë për të pranuar sasi të mëdha të këtij gazi përmes korridorit të ri.
Zelensky ka vizituar Athinën edhe më parë, në gusht të 2023, kur mori ftesë për darkën me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së. Ndërkohë, kryeministri grek ka vizituar Odesën në mars 2024 dhe më pas në qershor, duke marrë pjesë në Samitin e 4-t të Ukrainës me Evropën Juglindore.















