Investigim nga Timoni.al
Në vetëm tre vite në krye të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUM), drejtori Klevis Jahaj ka nënshkruar kontrata me vlera marramendëse, që sipas një investigimi të portalit Timoni.al kanë përfituar një rreth të ngushtë oligarkësh të lidhur me pushtetin.
Ndërkohë që qytetarët e thjeshtë përballen çdo ditë me mungesën e ujit të pijshëm dhe me fatura që rriten në mënyrë të pashpjegueshme, AKUM ka shpërndarë miliona euro për projekte në fshatra turistikë dhe resorte luksoze.
Burime pranë institucionit pohojnë se çdo vendim për investime, emërime dhe tendera është centralizuar nën kontrollin e plotë të Belinda Ballukut dhe Klevis Jahajt, me qëllim që çdo projekt të kalojë nëpërmjet një piramide politike dhe financiare. Deri më tani, ata kanë marrë nën administrim 11 drejtorë rajonalë të ujësjellësve, ndërsa Ujësjellësi i Tiranës mbetet e vetmja strukturë që ende nuk është vendosur nën këtë kontroll – por edhe kjo duket vetëm çështje kohe.
💥Milionat që rrjedhin me tendera!
Sipas dokumenteve të siguruara nga portali Timoni.al, vetëm në tre muaj, duke filluar nga nëntori 2024, Jahaj ka firmosur tendera me vlerë mbi 8 milionë euro, kryesisht për projekte që shërbejnë interesat e investitorëve strategjikë dhe jo të komuniteteve lokale.
• 4 nëntor 2024: AKUM nënshkroi kontratën për ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat Drenovë, Belishovë, Belistan dhe Visokë në Bashkinë Mallakastër.
Vlera e kontratës me TVSH ishte 422 milionë lekë (rreth 4.3 milionë euro). Fitues doli kompania “SENKA”, e lidhur më herët me projekte të tjera infrastrukturore të dyshimta në jug të vendit.
• Nëntor 2024: një tjetër tender prej 2.2 milionë eurosh u dha për rikonstruksionin e ujësjellësit në Gjirin e Lalëzit – një zonë e mbushur me resorte private dhe vila luksoze. Fitues rezultoi “KUPA” sh.p.k., ndërsa projekti justifikohet me “përmirësim të rrjetit ekzistues”, por në fakt shërben për t’u çuar ujë komplekseve turistike.
• Tenderi i radhës lidhet me disa fshatra në Skrapar: Prokuc, Kalluc dhe Bregas, ku është firmosur një kontratë me vlerë 1.7 milionë euro për furnizimin me ujë. Fitues është bashkimi i operatorëve “NG STRUCTURES” dhe “G.P.G. COMPANY”, që sipas dokumenteve duhet ta përfundojnë projektin në vetëm 4 muaj – katër herë më shpejt se afati i zakonshëm 12-mujor, një tregues tipik i tenderave të paracaktuar.
💥Uji për oligarkët, faturat për qytetarët!
Ndërsa resortet e Gjirit të Lalëzit dhe zonat turistike të jugut furnizohen me ujë 24 orë në ditë, qytetarët e Mallakastrës, Skraparit, apo fshatrave të Korçës vuajnë mungesën e plotë të ujit të pijshëm. Faturat rriten, rrjetet rrjedhin, por paratë publike shkojnë në projektet që i shërbejnë “miqve” të pushtetit.
Ekspertët e fushës paralajmërojnë se “reforma e ujit” po shndërrohet në një mekanizëm abuzimi me fondet publike, ku përfitues janë vetëm disa kompani të privilegjuara që sigurojnë tenderat njëri pas tjetrit, pa konkurrencë reale.















