Nga Enton DOÇI
Gazetari, Elton Qyno ka zbuluar detaje të reja në lidhje me hetimet që po zhvillon Prokuroria e Posaçme (SPAK) ndaj Zv/kryeministres njëherazi Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
I ftuar në në Syri Tv, Qyno ka deklaruar se nga bisedat e zbardhura mes Evis Berberit dhe Ballukut, prokurorët e SPAK kanë gjetur prova që sugjerojnë se tenderët nuk ndiqnin rrugën ligjore, por paracaktoheshin në prapaskenë.
Gazetari thotë se një tjetër dosje e nxehtë që po hetohet lidhet me dy anijet gjeneratorë, të njohura si “tigrat”, të ankoruara prej vitesh në gjirin e Vlorës, të cilat paguhen nga taksapaguesit pa prodhuar asnjë kilovat energji.
Qyno shprehet se hapi i radhës i SPAK, mund të jetë kërkesa për një masë sigurie ndaj ministres Balluku, e cila mund të variojë nga pezullimi nga detyra deri tek arresti shtëpiak, një praktikë e konsoliduar e Prokurorisë së Posaçme ndaj zyrtarëve të lartë nën hetim.
Në fakt është një dosje e cila ka marrë të fundit qysh në shtator të vitit 2024, kur SPAK filloi veprimet hetimore ndaj Evis Berberit, një zyrtari të lartë që drejtonte Agjencinë e Rrugore Shqiptare. Dhe në momentin kur BKH-ja apo edhe prokurorët kanë sekuestruar telefonat e Evis Berberit dhe kanë filluar ekspertimin e tyre, kanë rrjedhur apo ekstraktuar biseda të cilat nuk kishin të bënin vetëm me objektin e hetimit që kishte SPAK pra me vetëm me tendrat e autoritetit rrugor shqiptar, por kishin të bënin edhe me biseda të tjera të cilat Evis Berberi ka kryer me funksionarë të lartë të Ministrisë së infrastrukturës dhe energjetikës dhe më konkretisht edhe me ministren që drejton këtë institucion. Bisedat nuk janë vetëm biseda private dhe biseda pune, por janë biseda që paracaktohen tenderat nga zonja Belinda Balluku.
Biseda korruptive apo biseda të cilat kanë karakterin e kryerjes së një vepre penale siç është shkelja e barazisë në tendra dhe ankandeve publike. Dhe që pa diskutim që në kushtet kur janë vënë në dijeni të këtyre bisedave dhe ku janë krahasuar këto biseda me kohën kur janë zhvilluar dhe procedurat e prokurimit të këtyre tenderave, pa diskutim që prokurorët kanë marrë një vendim për hapjen e një hetimi paralel për zonjën Balluku, por edhe për Evis Berberin. Pra, është fragmentizuar në tre dosje, një dosje që, në mos gaboj ka procedimin 241 fraksion 1 dhe pastaj ka vajtur në procedime të tjera.
Faktikisht çështja e Ballukut pastaj filloi që të ushqehet edhe me informacione të tjera për shkak edhe të një deklarate që ka bërë ish-zëvendës kryeministri ëh, në arrati, Arben Ahmetaj, i cili në një dalje publike tek Syri, ka deklaruar dhe ka dhënë indicje të forta për opinionin publik por edhe për SPAK-un, lidhur me një aferë korruptive siç ishte anulimi i tenderit ëh, për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe më pas rihapja sërish e këtij tenderi por me një vlerë akoma dhe më të madhe që shkonte diku tek 50 milionë euro, pra praktika e dytë tenderuese. Dhe më tej pastaj kjo, ky denoncim është pasuruar edhe me një kallëzim tjetër të zotit Gazment Bardhi dhe ka çuar SPAK-un deri në konkluzionin që të gjitha veprimet hetimore, të gjitha krahasimet e provave materiale, por edhe duke u shtyrë edhe nga këqyrja e telefonave, të katër telefonave të Evis Berberit, por edhe bashkëshortes së tij, rezultoi që ministrja Balluku ishte e përfshirë në praktikën e paracaktimit të kompanive fituese në këto dy tendra, qoftë edhe tek pjesa e ndërtimit të tunelit, por qoftë edhe te pjesa e supervizimit të mbikëqyrjes së punimeve që po kryheshin pikërisht në këtë tunel. Ndërkohë që tashmë kam informacione që ka dhe tre procedime të tjera, të cilat lidhen me pastrim parash.
Ajo që dihet tashmë është afera e dy anijeve gjeneratorë që janë tek Tigrat e famshëm që janë të ankoruara prej disa vitesh në gjirin e Vlorës dhe çuditërisht bëjnë ndezje eksperimentale, por që në fakt nuk prodhojnë asnjë kilovat energji elektrike dhe me qëllim për ta furnizuar çdo ditë. Ndërkohë që ke dhe praktika të tjera hetimore të cilat kanë shtyrë SPAK-un që të hetojë në këto tre vepra penale që ju përmenda dhe që padyshim, dhe që kam bindjen që do të ketë një fragmentizim akoma më radikal të SPAK-ut në këtë drejtim.
Kur them radikal, mund të e kam parasysh faktin që mund të çojë SPAK-un deri në një kërkesë për caktim mase sigurimi ndaj zonjës Belinda Balluku dhe që padyshim do të sjellë automatikisht vënien e saj në një masë arresti, qoftë arrest shtëpie, qoftë edhe një masë pezullim nga detyra, qoftë edhe një masë bllokimi i daljes së saj jashtë shtetit. Pra, janë masa të cilat herë pas here SPAK-u i ka përdorur kryesisht në zyrtarët e lartë kur ka hetuar dhe që tashmë është praktika e konsoliduar edhe përmes vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe që padyshim mos u çudisni që në ditët në vazhdim të ketë edhe një indicie tjetër si kjo që unë po ua përmend.















