Një nga kompanitë që ka përfituar më shumë tendera publikë që prej ardhjes në pushtet të “Rilindjes”, është kompania “4 A-M”, në pronësi formale të biznesmenit Ardit Metaliaj, me origjinë nga Tropoja. Por burime brenda sistemit të drejtësisë pohojnë se pas kësaj kompanie qëndron në fakt oligarku i njohur Bashkim Ulaj, një prej njerëzve më të afërt me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
Tenderat me miliarda nga institucionet publike
Sipas të dhënave të Thesarit të Shtetit, vetëm për periudhën 2015-2019, kompania “4-AM” ka përfituar rreth 45 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, duke u renditur ndër 10 kompanitë më të favorizuara nga qeveria socialiste.
Pjesa më e madhe e këtyre tenderave janë dhënë nga Bashkia e Tiranës, por “4-AM” ka marrë fonde të mëdha edhe nga bashkitë Tropojë, Lezhë, Mirditë, Kamëz, si dhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT).
Një tjetër kontratë e majme ka ardhur nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), nën drejtimin e Benet Becit, për një vlerë prej 210 milionë lekësh, ndërsa Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) i ka dhënë pa garë tenderin e radhës me vlerë 1.2 miliardë lekë (8.8 milionë euro) për punimet në nënstacionin e Golemit.
Kompania e akuzuar për mashtrime dhe tendera pa garë
Firma “4-AM” është përfshirë disa herë në skandale për deklarime të rreme gjatë garave publike. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) në vitin 2021 zbuloi se kompania kishte falsifikuar dokumente në tenderin e Bashkisë Tropojë me vlerë mbi 3 milionë euro, duke çuar në kallëzim penal për kryebashkiakun dhe 8 zyrtarë të tjerë.
Pavarësisht kërkesës së KLSH për ta përjashtuar kompaninë nga tenderat publikë, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) e refuzoi këtë kërkesë në vitin 2022 — duke i hapur rrugën “4-AM” që të vazhdojë të përfitojë miliona euro nga buxheti i shtetit.
Pista e re hetimore: Paratë e Ballukut jashtë vendit
Burime pranë SPAK-ut konfirmojnë se në dosjen që po hetohet ndaj Belinda Ballukut, një nga pistat më të ndjeshme ka të bëjë pikërisht me marrëdhëniet e saj me kompaninë “4-AM”.
Sipas këtyre burimeve, Balluku dyshohet se ka favorizuar kompaninë e Ardit Metaliajt në disa tendera publikë, në këmbim të ryshfeteve që nuk janë dhënë në Shqipëri, por në formë transferimesh të fshehta jashtë vendit — kryesisht në ShBA dhe Dubai.
Hetuesit po ndjekin gjurmët e parave që, sipas dyshimeve, janë derdhur nga “4-AM” në kompani offshore të regjistruara në këto vende, ku përfituesit përfundimtarë dyshohet se janë persona të lidhur ngushtë me Ballukun.
Rrjeti i interesave të përbashkëta
Sipas hetimeve paraprake, Ardit Metaliaj shërben si “dora operative” e Bashkim Ulajt, duke përdorur kompaninë “4-AM” si mbulesë formale për tenderat që në fakt menaxhohen nga Ulaj.
Ky i fundit, i njohur për lidhjet e tij të hershme me pushtetin, ka siguruar gjatë viteve të fundit rreth 140 milionë euro fonde publike, përmes kompanive të ndryshme që garojnë pa konkurrencë ose me dokumente të dyshimta.
Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se në listën e kompanive dhe individëve nën hetim janë përfshirë disa administratorë dhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Balluku është person nën hetim për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Tenderat e qeverisë, makina e pastrimit të parave publike
Rasti “4-AM” është vetëm një prej shumë shembujve që tregojnë se si tenderat publikë janë kthyer në mekanizma sistematikë për pastrimin e parave dhe shpërndarjen e ryshfeteve politike.
Në këtë skemë, kompanitë nën kontrollin e oligarkëve si Bashkim Ulaj, marrin tenderat pa konkurrencë, ndërsa zyrtarë të lartë si Belinda Balluku përfitojnë përmes rrjeteve të transfertave të huaja dhe kompanive fantazmë.
Nëse këto dyshime provohen, kjo do të jetë një nga aferat më të mëdha korruptive të dekadës së fundit, ku qindra milionë euro të fondeve publike janë shpërdoruar për të ushqyer një sistem klientelist dhe të kapur politikisht.















