Zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, është thirrur sot në Prokurorinë e Posaçme, si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, por nuk dihet ende nëse numri 2 i qeverisë do të paraqitet në SPAK.
Burime për gazetaren Klodiana Lala informojnë se Belinda Balluku, të cilës iu është kërkuar të shoqërohet nga një avokat, s’ka hyrë në ambientet e SPAK dhe se nuk do të paraqitet ditën e sotme.
Zv.kryeministri mësohet se ka parashtruar paraprakisht se ka një vizitë jashtë vendit.
Dhe nnë kushtet kur një funksionar i lartë shtetëror ka aktivitet të parashikuar, prokurorët e posaçëm duhet të firmosin një tjetër fletëthirrje, që duhet të paraqitet në një tjetër datë.
Gazetarja Klodiana Lala sqaroi se nëse Balluku do të refuzojë që të paraqitet në SPAK, ligji e përcakton se duhet të thirret me forcë, përmes futjes në lojë të policisë.
“Belinda Balluku është zyrtarisht nën hetim për shkelje të barazisë në tendera, për rastin e tunelit të Llogarasë. Hetimet kanë derivuar nga dosja e Evis Berberit. Në pranverë të këtij viti u arrestua Evis Berberi për disa akuza, ndër to edhe atë për korrupsion.
Gjatë kontrollit në banesën e Berberit u sekuestrua celulari i tij, bashkëshortes dhe i përdorur më herët nga çifti. Janë gjetur të dhëna ku zbulohet se Balluku është e përfshirë në abuzime me tenderat. Në momentin kur zonjës Balluku do t’i komunikohet akuza, SPAK do të ketë edhe njoftim zyrtar për këtë çështje”, raportoi gazetarja.
Ftesa për paraqitje mban firmën e prokurorit të posaçëm Dritan Prençi, i cili ka kërkuar që zëvendëskryeministrja të jetë e asistuar nga një avokat një praktikë që nënkupton se ndaj saj mund të komunikohet zyrtarisht një akuzë penale.















