Ekspertë të shëndetit publik, mjekë dhe politikëbërës nga e gjithë Europa u mblodhën në Athinë për Samitin e 8-të të Reduktimit të Dëmit nga Duhani. Diskutimet u fokusuan mbi nevojën urgjente për qasje të reja dhe të bazuara në evidenca shkencore për të luftuar epideminë globale të duhanpirjes, nga e cila humbasin jetën rreth 7 milion njerëz çdo vit.
Dr. Stelios Kympouropoulos, eurodeputet dhe mjek psikiatër, theksoi se reduktimi i dëmit është i nevojshëm për të ofruar alternativa më të sigurta ndaj duhanit tradicional. Ai theksoi nevojën për politika humane dhe të bazuara në evidenca për të ndihmuar të rriturit të ulin rrezikun. Studimet tregojnë se individët me shqetësime emocionale, si depresioni dhe ankthi, janë më të prirur të ndjekin duhanpirjen. Njohuria se lënia e duhanit përmirëson jo vetëm shëndetin fizik, por edhe atë mendor, ishte një tjetër pikë që u diskutua.
Ekspertët e shëndetit publik identifikuan produktet pa tym dhe pajisjet e avullimit si alternativa me rrezik më të ulët krahasuar me cigaret tradicionale. Shtetet si Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë mbështetur se rënia e konsumit të duhanit është e ndikuar pozitivisht nga disponueshmëria e alternativave të rregulluara.
Dr. Kympouropoulos propozon pesë hapa për të reduktuar dëmin nga duhani: ndarja e qartë midis produkteve me djegie dhe atyre pa tym, diferencimi i taksave, monitorimi i produkteve, përfshirja e mjekëve në udhëzime dhe mbrojtja etike e të rinjve. Ai nënvizoi se, ndonëse produktet alternative janë më pak të dëmshme, është e nevojshme të vendosen rregulla të rrepta për të parandaluar përdorimin nga të rinjtë.
Në këtë kontekst, Shqipëria solli përvojat e saj mbi ndërhyrjet për lënien e duhanit. Ekspertët shqiptarë theksuan se përpjekjet për uljen e numrit të duhanpirësve kërkojnë informacion dhe kompetencë në transmetimin e tij. Reduktimi i dëmit ofron alternativa për ata që nuk duan të lënë duhanin plotësisht, duke krijuar një strategji gjithëpërfshirëse.
Trajnimet për personelin shëndetësor, organizuar vitin e kaluar në disa qytete shqiptare, treguan përfshirjen e zonave rurale, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të problemeve të shëndetit publik atje. Samiti në Athinë, përvojat shqiptare, tregojnë se politikave efektive duhet t’u paraprijë evidenca shkencore dhe përfshirje aktive e profesionistëve të shëndetësisë për të arritur rezultate të qëndrueshme në reduktimin e dëmit nga duhani.