Një hetim i shërbimeve sekrete ukrainase ka nxjerrë në pah se një kompani kimike italiane, Sir Industriale, mund të ketë kontribuar, pa e ditur, në forcimin e industrisë ushtarake të Rusisë. Hetimi fokusohet në një përbërës të quajtur “resinë epokside”, e cila është thelbësore për prodhimin e raketave balistike Iskander-M, të njohura për efikasitetin e tyre në sulmet ruse në Ukrainë.
Sulmet e Moskës janë rritur në intensitet, ku vetëm 6% e raketave të lëshuara në muajin e kaluar janë interceptuar nga mbrojtja ajrore ukrainase, ndërsa pjesa tjetër ka goditur objekte strategjike dhe civile, duke përfshirë godinën e Bashkimit Evropian në Kiev. Raketat Iskander-M, të cilat përdorin këtë teknologji të avancuar, janë të njohura për aftësinë e tyre të shmangies së sistemeve të mbrojtjes falë shpejtësisë dhe ndërtimit të tyre me fibra karboni, të cilat forcohen me resinën epokside.
Sipas Këshillit për Sigurinë Ekonomike të Ukrainës, Italia ka qenë furnizuesja kryesore në Evropë e këtij materiali për Rusinë gjatë periudhës janar–shtator 2024, ku vetëm Sir Industriale rezulton së është në qendër të hetimeve. Pjesa e eksportuar nga ky subjekt ka përfunduar në kompani ruse si Uralprotekt dhe Prime Top, të cilat janë të përfshuara në prodhimin e raketave Iskander.
Përfaqësuesi i kompanisë, Marco Bencini, ka mohuar akuzat, duke theksuar se produktet e dërguara ishin për përdorime civile, si prodhimi i bojërave dhe përpunimi i çelikut. Ai gjithashtu theksoi se në momentin e eksportimeve nuk kishte ndalesa ligjore nga Bashkimi Evropian, me sanksionet ndaj resinave epokside që hynë në fuqi vetëm më 20 korrik 2024, duke bërë kështu çdo veprim të mëparshëm teknikisht të ligjshëm.
Ky skandal rreth lidhjeve të kompanive evropiane me industrinë ushtarake ruse trazoi shqetësime në lidhje me rizikimin e sigurisë në një kohë kur tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdojnë të rriten.