Kepi i Gjelbër po afron një kualifikim historik për Kupën e Botës 2026, por festa e tij u pengua pas një barazimi dramatik 3-3 ndaj Libisë. Ndeshja ishte e mbushur me episode të çuditshme dhe polemika rreth arbitrimit.
Ngjarjet filluan në sekondat e para me një autogol të mbrojtësit Pico Lopes, i cili gaboi duke futur topin në rrjetën e tij pa ndonjë presion. Më vonë, ndodhi një e papritur tjetër: në minutën e 76-të, një krosim i thjeshtë nga Sidny Cabral kaloi përmes këmbëve të portierit libian Al Wuheeshi, duke u shndërruar në gol për Kepin e Gjelbër. Ky gol riktheu shpresat për një përmbysje, pas një fillimi të dobët që i kishte dhënë Libisë një avantazh prej 3-1.
Dramatizmi arriti kulmin në minutën e 96-të. Pas një kundërsulmi të fortë, Kepi i Gjelbër mendoi se shënoi golin e fitores, i cili do t’i çonte direkt në Botëror. Megjithatë, gjyqtari ndali lojën për pozicion jashtë loje, një vendim që u diskutua ashpër, për shkak se pamjet tregonin se lojtari ishte në kufi me vijën mbrojtëse. Në mungesë të VAR-it në kualifikueset afrikane, vendimi qëndroi në fuqi.
Polemikat rreth këtij ndeshjeje kanë rritur aludimet për mundësinë e trukimit, pas disa gabimeve të rënda në mbrojtje nga Libia, edhe pse nuk ka ende prova konkrete. Rrjetet sociale janë mbushur me diskutime pas këtij rezultati.
Situata për Kepin e Gjelbër është ende e tensionuar, pasi, nëse Kameruni nuk do të kishte fituar ndaj Mauritiusit, ata do të ishin kualifikuar menjëherë. Pas fitores së Kamerunit me 0-2, gjithçka do të vendoset në ndeshjen e fundit, ku Kepi i Gjelbër do të përballet me Eswatinin, ndërsa Kameruni pret Angolën. Vetëm ekipi që përfundon në vendin e parë siguron kualifikimin e drejtpërdrejtë për Kupën e Botës 2026.