Forcat speciale RENEA dhe një grup i FNSH-së kanë zbarkuar në qytetin e Sarandës dhe në zonat përreth Bashkisë Konispol, ku po zhvillohen kontrolle të imtësishme për identifikimin e autorëve të vrasjes së 58-vjeçarit Isuf Jaçaj.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, pista kryesore e hetimeve lidhet me hakmarrjen, pasi djali i viktimës, Klaus Jaçaj (31 vjeç), dyshohet se kishte ndihmuar autorin e plagosjes së dy personave në ngjarjen e 17 korrikut në Sarandë.
Klaus Jaçaj ishte vetëdorëzuar në Komisariatin e Sarandës më 23 korrik, vetëm dy ditë pasi një person i maskuar i shpërtheu me eksploziv automjetin tip “BMW” të parkuar pranë banesës së tij. Për këtë ngjarje, ende të pazbardhur, ndaj tij u ngritën akuzat për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “moskallëzim krimi”, ndërsa gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Saga e hakmarrjes nisi më 17 korrik, kur në lagjen nr. 4 të Sarandës, Ramadan Zoto (alias Ramadan Canaj, 43 vjeç) plagosi me armë zjarri Gëzim Hajdarajn (33 vjeç) dhe Ernest Lamën (25 vjeç), të dy nga Kamza. Të plagosurit janë persona me precedentë penalë në Sarandë, ndërsa njëri prej tyre, Hajdaraj, u arrestua në spital pasi iu gjet një armë pistoletë.
Autori i plagosjes, Ramadan Zoto, një ish-i dënuar në Greqi për krime të rënda, përfshirë vrasje, u kap i armatosur në Korçë më 22 gusht, pas disa javësh arrati. Dy bashkëpunëtorë të tij janë vetëdorëzuar më herët.
Sipas ekspertëve të xhenios, në vrasjen e mbrëmshme të Isuf Jaçajt dyshohet se janë përdorur rreth 800 gram eksploziv, i vendosur poshtë automjetit tip “Toyota” dhe i aktivizuar me telekomandë.
Policia po përballet me vështirësi në dokumentimin e plotë të ngjarjes, pasi në zonën ku ndodhi shpërthimi mungojnë kamera sigurie. Hetimet po vijojnë me intensitet, ndërsa në Sarandë dhe zonat përreth janë ngritur disa postblloqe kontrolli dhe janë bllokuar rrugët hyrëse e dalëse të qytetit.