Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme veprimtarinë e grupi kriminal të Laert Haxhiut, Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani.
Sipas SPAK, koka e grupit rezultonte Laert Haxhiu, i cili akuzohet për 14 episode kriminale. Prokuroria ka listuar “malin” e krimeve të Laert Haxhiut, ndërsa ka treguar në mënyrë të përmbledhur dhe natyrën e krimit.
Për SPAK, Laert Haxhiu, është drejtues dhe organizator i grupit të strukturuar kriminal, i cili akuzohet për 14 veprat penale:
- Në bashkëveprim me Lulzim (Arapi) Spahija kreu krimin“Shkatërrimi i pronës me eksploziv’’, në dëm të shtetasit Arian Aliço, ngjarje e ndodhur më 5.4.2021, në Lushnjë;
- Në bashkëveprim me Artan (Marjus) Tafani kreu krimin“Shkatërrimi i pronës me eksploziv’’, në dëm të shtetasve, Besnik Çoku dhe Erion Çoku, ngjarje e ndodhur më 29.5.2021, ora 02:15, Lagjia ‘Gafurr Muço’ pallati Nr.4, Lushnjë;
- Në bashkëveprim me Artan Tafani, Erisiano Abedini, Ligor Romaçka e Bujar Abedini kreu krimin“Vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Çajup Selimi, ngjarje e ndodhur më 1.6.2021, ora 21:15, në Tepelenë;
- Në bashkëveprim me Ligor Romacka, Maringlen Topuzi, Bledar Berberi, Artan Tafani dhe Lulzim (Arapi) Spahija kreu krimin“Vrasje me paramendim”, me viktimë Fridman Xhaferraj, më 2.6.2021, trupi i të cilit u gjet i pajetë, tek rezervuari i Gjançit, në Korçë, më datë 13.6.2021;
- Në bashkëveprim me Artan Tafani, Lulzim Spahija dhe Mariglen Topuzi dhe Bledar Berberi, kreu krimin “Vrasje me paramendim” e kryer për interes, me viktimë Alban Semaku (Elton Mermali), ngjarje e ndodhur në lagjen Çezme, Peqin, më datë 17.10.2021;
- Në bashkëveprim me Enriko Xhahysa, Artan Tafani dhe Lulzim Spahija, kreu krimin “Vrasje për gjakmarrje”, me viktimë Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;
- Në bashkëveprim me Artan Tafani dhe Lulzim Spahija kreu krimin “Vjedhje me armë” të automjetit të Gëzim Çepele, më datë 27.1.2022, në autostradën Tiranë-Elbasan, pranë karburant Bar-Restorant Palmanova,Tiranë;
- Në bashkëveprim me Artan Tafani, Lulzim Spahija dhe Dorian Shurdhi (i ndjerë) kreu krimin “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të Kujtim Meta, e kryer për interes, më datë 20.4.2022, në Lushnje;
- Në bashkëveprim me Artan Tafani, Lulzim Spahija dhe Erisiano Abedini, kreu krimin “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, në dëm të Bashkim Rajku dhe Rigels Rajku (Noizy), ngjarje e ndodhur më 8.6.2022, në Durrës;
- Në bashkëveprim me Artan Tafani dhe Fatjon Veliun siguroi kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Rexhep Ginës, në Lushnjë, rreth orës 21:00, më 6 korrik 2022;
- Në bashkëveprim me Artan Tafani, Kristi Bixheku dhe Erisiano Abedini, kreu krimin “Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bujar Turku, ngjarje e ndodhur më datë 1.11.2022, në Lushnje;
- Në bashkëveprim me Artan Tafani, Kristi Bixheku dhe Erisiano Abedini, kreu krimin “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, sërish në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku, ngjarje e ndodhur më 31.12.2022, në Lushnjë;
- Në bashkëveprim me Artan Tafani dhe Firdeus Berberi, kreu krimin “Vjedhje me armë” e automjetit në pronësi të Marjus Zejneli, ndodhur më 22.2.2023, në Sallmone, Shijak (Durrës);
- Në bashkëveprim me Artan Tafani dhe Kristi Bixheku, kreu krimin “Sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, të Genci Hidës, në Lushnjë, në periudhën Prill-Maj 2023;
Grupi i strukturuar kriminal kishte mundur të siguronte armë, armë shpërthyese dhe municione luftarake në sasira të mëdha dhe i përdorte ato në mjedise publike;
Kristi Bixheku akuzohet për veprat e mëposhtme penale:
- Në bashkëveprim me Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Erisiano Abedini, kreu krimin “Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bujar Turku, ngjarje e ndodhur më 1.11.2022, në Lushnjë;
- Më 31.12.2022, në Lushnjë, sërish në bashkëveprim me Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Erisiano Abedini, kreu krimin “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku;
- Në bashkëveprim me Laert Haxhiu dhe Artan Tafani, kreu krimin “Sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” të Genci Hidës, në Lushnjë, në periudhën Prill-Maj 2023;
Artan (Marjus) Tafani akuzohet për veprat e mëposhtme penale:
Në bashkëveprim me Laert Haxhiu dhe Fatjon Veliun, kreu krimin “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve” për vrasje të Rexhep Ginës, në Lushnjë, më datë 6 korrik 2022, rreth orës 21:00;
Bazuar në aktet e hetimit, arrihet në konkluzionin se aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar është i shtrirë nga muaji prill i vitit 2021 deri në muajin maj të vitit 2023, kur drejtuesi dhe organizatori i tij, Laert Haxhiu u arrestua në Greqi. (Laert Haxhiu u ekstradua nga Greqia në korrik të vitit 2024).
Anëtarët e grupit të strukturuar kriminal vec të akuzuarve janë edhe:
- Lulzim Spahija (Arapi)
- Ligor Romaçka
- Bledar Berberi
- Erisiano Abedini
Ndaj tyre është paraqitur më parë, një kërkesë për gjykim.
Sipas SPAK, Laert Haxhiu, organizatori dhe drejtuesi i këtij grupi të strukturuar kriminal e nisi kryerjen e akteve kriminale në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të tij (djalit të xhaxhait) Klodian Haxhiut, dhe pas arrestimit të dy miqve të tij Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
I drejtuar dhe organizuar prej tij, grupi kriminal ndërmori akte konkrete kriminale për vrasjen e personave që konsideroheshin si anëtarë të grupit kriminal kundërshtar, i cili në atë kohë drejtohej nga Aldo Bare.
Aktet kriminale të këtij grupi të strukturuar, nuk synuan vetëm jetën dhe shëndetin e kundërshtarëve, por dhe shkatërrimin e pronës, përmes përdorimit të lëndëve shpërthyese, apo kryerjen e akteve të vjedhjes me përdorimin e armëve. Përveç vrasjeve të Çajup Selimit dhe Albi (Dijonist) Bashaliut, të gjitha krimet e tjera që u përmendën më sipër janë organizuar dhe kryer në shenjë hakmarrjeje dhe për të njëjtat motive.