Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, ministren e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe ministër Shteti për Pushtetin Vendor Ervin Demo, morën pjesë sot në një aktivitet që përqendrohej në transformimin e Forcës zjarrfikëse dhe inovacionet në mbrojtjen civile.
Gjatë këtij eventi, Rama njoftoi se ata që kanë humbur shtëpitë ose krerët e bagëtive për shkak të zjarreve do të dëmshpërblehen plotësisht. Kryeministri theksoi rëndësinë e sigurimit të banesave dhe bizneseve nga fatkeqësitë natyrore, duke bërë të ditur se ky proces do të sanksionohet me ligj. Ai gjithashtu njoftoi se do të forcohen masat ligjore ndaj zjarreve të vëna nga njerëzit.
“Çdo kush që ka humbur banesën apo krerë bagëtish le të jetë i sigurt se do të dëmshpërblehet një nga një. Të gjithë duhet të mendojnë për t’u përfshirë në skemën e sigurimit të shtëpive për fatkeqësitë natyrore, të cilin do ta rregullojmë ligjërisht,” tha Rama. Ai evidentoi gjithashtu nevojën për t’u siguruar edhe bizneset, duke parë sfidat që sjell ndryshimi i klimës, si përmbytjet dhe zjarret që afrohen në pragun e shtëpive.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se do të ketë një rritje të pagave për sektorin e zjarrfikëses, duke theksuar se qeveria është e obliguar t’i njihet vlerësimi për punën e bërë nga këta profesionistë.