Në redaksinë e Timoni.al ka mbërritur një denoncim i rëndë, që hedh dritë mbi abuzimet dhe emërimet klienteliste në administratën publike, konkretisht në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Sarandë.
Nga pastor në drejtor!
Sipas burimeve, Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR, Endri Haxhiu, ka emëruar si drejtor rajonal në Sarandë Reni Barjamin, një emër i njohur në Delvinë e Sarandë, jo për meritë profesionale, por për skandalet që e shoqërojnë prej vitesh.
Barjami, i cili dikur shërbente si pastor i kishës ungjillore në Delvinë, është përjashtuar nga komuniteti fetar për shkak të vjedhjes së fondeve të kishës, një akt i shoqëruar edhe nga problemet e tij të përhershme me bixhozin.
Punonjës i arkivës me arsim të mesëm, “diplomohet” papritur me Bachelor
Prej vitit 2019, Barjami figuron punonjës në arkivën e DRSHRR Sarandë, ku nuk është shkëputur asnjë ditë nga puna. Në të gjitha këto vite ka qenë i regjistruar me arsim të mesëm, duke mbajtur një funksion modest në strukturën e institucionit.
Por çudia e madhe ndodh në fund të vitit 2024, kur ai del papritur i diplomuar me një diplomë Bachelor me kohë të plotë në një universitet në Tiranë.
Pyetja që ngrihet është e thjeshtë:
- Si ka mundur të ndjekë studimet me kohë të plotë, pa munguar asnjë ditë në punën e tij në Sarandë?
- Kush ia ka firmosur orët, kush ia ka justifikuar mungesat, kush ia ka aprovuar këtë proces “fantazmë”?
Sipas të dhënave të siguruara nga denoncuesit, ekziston edhe një listë notash e dyshimtë, ku Reni Barjami figuron se ka kaluar provime pa qenë asnjëherë realisht i pranishëm në auditor. Nëse këto të dhëna konfirmohen, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me një skandal moral e profesional, por edhe me një shkelje ligjore të rëndë.

Reformat e premtuara, shërbimi i dështuar
Prej vitesh, DPSHTRR është prezantuar si një institucion që synon “modernizimin e shërbimeve”, duke premtuar efikasitet, transparencë dhe meritokraci në emërimet drejtuese. Por realiteti është krejt ndryshe.
Në vend të profesionistëve të fushës, drejtuesit e drejtorive rajonale shpesh emërohen mbi bazën e qokave politike, klientelizmit dhe lidhjeve personale, duke e kthyer këtë institucion në një strehë për militantë partiakë dhe individë me të kaluar të errët.
Rasti i Sarandës është dëshmi se ndërkohë që qytetarët presin orë të tëra për një shërbim bazik, drejtuesit e institucioneve emërohen me kritere që nuk kanë asnjë lidhje me profesionalizmin.
Pyetje që kërkojnë përgjigje urgjente
Ky denoncim ngre një sërë pyetjesh që nuk mund të anashkalohen:
- Si ka mundur të diplomohet me kohë të plotë një punonjës shteti, pa munguar asnjë ditë në punë?
- Kush janë personat që kanë firmosur, lejuar dhe mbuluar këtë shkelje?
- A është diploma e marrë nga Reni Barjami e vlefshme dhe ligjore, apo një produkt i tregut të diplomave të blera?
- Pse DPSHTRR pranon dhe inkurajon emërime të tilla, që dëmtojnë imazhin dhe funksionimin e institucionit?
Ky rast është më shumë sesa një histori individuale. Është një simbol i korrupsionit dhe klientelizmit që ka gërryer administratën publike shqiptare. Nëse një pastor i përjashtuar për vjedhje, me varësi nga bixhozi, me arsim të mesëm deri dje, mund të bëhet sot drejtor rajonal me një diplomë të dyshimtë, atëherë qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të pyesin: Kush i udhëheq institucionet tona dhe për llogari të kujt punojnë ato?
Timoni.al do të vijojë të ndjekë me vëmendje këtë skandal dhe do të kërkojë transparencë nga DPSHTRR, Ministria e Infrastrukturës dhe institucionet përgjegjëse për arsimin e lartë.
Endri Haxhiu mohon emërimin e Reni Bajramit në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor Sarandë
Pas denoncimeve të publikuara së fundmi në rrjete sociale dhe portale, lidhur me një të ashtuquajtur emërim të Reni Bajramit në një post drejtues pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Sarandë, ka ardhur edhe reagimi zyrtar.
Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, z. Endri Haxhiu, ka konfirmuar përmes një komunikimi telefonik për portalin Timoni.al, se këto lajme nuk qëndrojnë.
“Personi i përmendur, Reni Bajrami, nuk është emëruar në asnjë post drejtues në Drejtorinë Rajonale të Sarandës. Çdo pretendim i tillë është i pavërtetë dhe nuk reflekton realitetin,” – deklaroi Haxhiu për Timoni.al.
Ky sqarim vjen pas përhapjes së informacionit në publik, duke hedhur poshtë çdo dyshim mbi ndonjë vendim të tillë administrativ.