Në Gjirokastër, janë prezantuar rezultatet e fundit të ekspeditës arkeologjike italo-shqiptare në Antigone, qyteti antik i themeluar nga Pirro i Epirit. Aktiviteti, i organizuar nga Universiteti i Maceratës dhe Instituti i Arkeologjisë i Tiranës në bashkëpunim me DRTK Gjirokastër, mblodhi një grup studiuesish dhe arkeologësh për të diskutuar gjetjet e reja dhe për të ndarë vizionin për zhvillimin e territorit.
Gjatë këtij sezoni, janë zbuluar struktura që duket se i paraprijnë themelimit të Antigones, si dhe të dhëna që vërtetojnë se qyteti ka pasur jetë edhe pas vitit 168 p.e.s., më gjatë se sa ishte menduar. Në zonën e Agorasë, është zbuluar një sërë elementesh të hershme, ndërsa një shtëpi e plotë e gjetur, me arkitekturën e saj, ka sjellë gjetje të shumta si qeramikë, monedha e objekte metalike që dëshmojnë faza të reja të përdorimit të qytetit.
Roberto Perna, njëri nga drejtuesit e misionit, shprehu rëndësinë e hulumtimit në Antigone, e cila ishte një qendër e rëndësishme qytetare që nga shekulli i 3-të p.e.s. deri në shekullin e 1-të p.e.s. Ai theksoi se rezultatat e ekspeditës janë shumë interesante dhe se projekti gjithashtu fokusohet në trajnimin e studentëve nga dy universitete.
Mereglen Meshini, po ashtu, theksoi gjetjet e reja dhe premisat për të identifikuar faza më të hershme. Arkitekti Massimo Sargolini, në fund të aktivitetit, paraqiti perspektivën për planifikimin territorial dhe lidhi gjetjet me zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Antigonea, e vendosur pranë fshatit Saraqinisht dhe vetëm 14 km nga Gjirokastra, vazhdon të jetë një nga thesaret arkeologjike të Shqipërisë së Jugut. Me një rrethim prej katër kilometrash dhe një sipërfaqe të konsiderueshme urbane, qyteti është shpallur Park Arkeologjik dhe vizitohet çdo vit nga një numër gjithnjë e më i madh turistësh; vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, vizitat u rritën me 21 për qind krahasuar me vitin e kaluar.