Belind Këlliçi, deputeti i Partisë Demokratike, është përfolur prej kohësh si njeriu i Belinda Ballukut brenda opozitës. I etiketuar si “ushtari” i ministres së Infrastrukturës, ai është akuzuar se i shërben interesave të saj dhe se veprimet e tij politike janë të sponsorizuara nga paratë e pushtetit.
Shembulli më i qartë i kësaj lidhjeje janë protestat e vogla të zhvilluara përpara Bashkisë së Tiranës. Me vetëm 30 persona të mbledhur, këto protesta u drejtuan nga Këlliçi, ndërsa burime politike kanë pohuar se financimi vinte nga vetë Belinda Balluku. Aksione të tilla, të shfaqura si “kauza opozitare”, janë parë si skema për të mbajtur gjallë emrin e Këlliçit dhe për të legjitimuar rolin e tij si figurë e kontrolluar nga pushteti.
Pas seancës së Këshillit Bashkiak të Tiranës që formalizoi shkarkimin e Erion Veliajt, Këlliçi u shfaq i entuziazmuar. Në një status të tij në rrjetet sociale, ai deklaroi:
“Një fund i pashmangshëm dhe i merituar për një politikan të korruptuar, në xhep dhe në shpirt. Sot Tirana merr frymë më lirë, e çliruar nga një bandit që betonizoi qytetin dhe e ktheu në lavatriçe parash.”
Por kjo dalje publike, përtej fjalëve të mëdha, shihet si një lojë e radhës për të fituar pikë politike brenda PD-së. Faktet tregojne se Këlliçi nuk përfaqëson opozitën reale, por është vegël e qeverisë, që përdoret nga Balluku sa herë i duhet.
Në këtë mënyrë, Partia Demokratike rrezikon të kthehet në strehë të figurave që shërbejnë dy zotërinjve: në publik shfaqen si “opozitarë të fortë”, ndërsa në prapaskenë janë të lidhur me pushtetin. Rasti i Belind Këlliçit është një nga shembujt më flagrant se si PD-ja, në vend që të jetë alternativë, përfaqësohet nga individë që shfrytëzojnë kauzën e qytetarëve për interesa personale dhe pazare politike.
Ky episod vetëm sa forcon bindjen se opozita ka nevojë për pastrim dhe ndarje të qartë nga ata që nuk i shërbejnë qytetarëve, por ministrave të qeverisë Rama.
Statusi i Këlliçit:👇
Një fund i pashmangshëm dhe i merituar për një politikan të korruptuar, në xhep dhe në shpirt.
Sot, në Këshillin Bashkiak të Tiranës, u zhvillua seanca për shkarkimin e kreut të 5D, Erion Veliaj, tashmë prej muajsh në burg.
Ky është vetëm formalizimi i fundit i një modeli politik të degraduar, mbështjellë me propagandë dhe zhveshur nga çdo identitet.
Ky akt mbyll një proces të gjatë politik dhe ligjor. Për 44 javë me radhë, Partia Demokratike dhe opozita kanë protestuar përpara Bashkisë së Tiranës, duke faktuar hajdutërinë e pashembullt të inceneratorit fantazmë, makinerinë korruptive “5D”, si dhe krimin kundër trashëgimisë e kujtesës së qytetit, me shembjen e Teatrit Kombëtar, zhbërjen e mushkërive të gjelbra të Tiranës dhe mbi të gjitha vendosjen e një modeli fodullëku dhe përçmimi publik ndaj çdo qytetari kritik dhe jo puthadorë.
Sot Tirana merr frymë më lirë, e çliruar nga një bandit që betonizoi qytetin, shkatërroi trashëgiminë kulturore, bllokoi jetën e qytetarëve me trafikun mbytës dhe helmoi ajrin me ndotjen më të lartë në rajon.
Ky sekser i mafies, e shndërroi Bashkinë e Tiranës në lavatriçe të parave të pista.
Mbyllet kështu beteja ime kundër Erion Veliajt, por jo kundër modelit të tij, modeli më i shëmtuar dhe i korruptuar që ka prodhuar Shqipëria në 35 vitet e fundit.
Model i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjithë qeverisjen e vendit, duke u bërë pengesë e rëndë për perspektivën e shoqërisë shqiptare, mirëqënien e qytetarëve dhe funksionimin e demokracisë, sipas parimit të të vjedhurit të parave të shqiptarëve për të vjedhur vota.
Le të jetë kjo ditë edhe fillimi i fundit për çdo politikan që mendon se mund të riprodhojë krimet e vjetra me fytyra dhe propagandë të re.
Kjo është një betejë të cilën ne e kemi provuar se mund të fitohet.
Dhe do të fitohet.
Por kjo do të kërkojë një përpjekje gjithëpërfshirëse, me të gjithë faktorët e mundshëm, me të gjithë qytetarët e këtij vendi krah nesh.
Vetëm kështu mund të fitojmë ndaj modelit të së keqes dhe t’i japim vendit dinjitetin e munguar!