Izraeli ka njoftuar fillimin e instalimit të një sistemi të ri mbrojtës me rreze lazer, i cili do të shërbejë si mbrojtje ndaj raketave, predhave, mortajave, avionëve dhe dronëve. Ky sistem pritet të jetë jashtëzakonisht efektiv dhe me kosto operuese shumë të ulët. Të dhënat nga Ministria izraelite e Mbrojtjes tregojnë se ndërtimi i këtij armamenti ka përfunduar me sukses dhe se provat e kryera gjatë javëve të fundit kanë treguar se sistemi ka kapacitetin të kapë kërcënime në skenarë të ndryshëm operativ.
Sistemet e para të mbrojtjes me rreze lazer pritet të integrohen me sistemin e mbrojtjes ajrore të Izraelit deri në fund të vitit. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e përshkroi këtë zhvillim si një “moment historik” për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Ai theksoi se “Rrezja e Hekurt”, siç quhet ky sistem, mbështetet në operimin nga toka dhe përdor teknika shumë precize për të neutralizuar shpejt kërcënimet.
Sipas informacionit të SHBA-së, ky sistem mbrojtës ajror me lazer është i njohur për efikasitetin e tij dhe kostot operuese jashtëzakonisht të ulëta, duke arritur deri në vetëm katër dollarë për çdo operacion neutralizimi të dronëve. Ky aspekt e bën atë një zgjidhje tërheqëse për shtetet që kërkojnë të rrisin mbrojtjen e tyre ajrore.
Sistemi i ri përfshin avancime teknologjike që pritet të transformojnë mënyrën se si Izraeli përballet me kërcënimet ajrore, duke ofruar mbrojtje më të mirë dhe më fleksible në një rajon të njohur për tensionet dhe konfliktet. Me këtë sistem, Izraeli shpreson të rrisë sigurinë dhe të përmirësojë strategjitë e tij mbrojtëse ndaj rreziqeve të ndryshme, duke nxjerrë në pah rëndësinë e inovacionit në fushën e mbrojtjes.















