Autoritetet turke arrestuan të shtunën kryetarin e bashkisë së rrethit Bayrampaşa në Stamboll, Hasan Mutlu, së bashku me 47 zyrtarë të tjerë lokalë, në kuadër të një hetimi për korrupsion që përfshin Partinë Popullore Republikane (CHP), partinë kryesore opozitare në vend. Sipas TRT Haber, Mutlu akuzohet për ryshfet, shpërdorim detyre, mashtrim dhe manipulim të tenderëve publikë. Arrestimi i tij u krye pas një operacioni policor të gjerë në 72 lokacione të ndryshme në Stamboll, ku u sekuestruan dokumente dhe materiale lidhur me rastin.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hasan Mutlu e mohoi akuzat, duke i quajtur ato “sulme politike”, dhe theksoi se ka shërbyer vetëm për interesat e qytetarëve të Bayrampaşa-s. Ai është pjesë e një fenomeni më të gjerë, pasi mbi një duzinë kryebashkiakësh të zgjedhur nga CHP janë arrestuar muajt e fundit për akuza të ngjashme. Kjo listë përfshin edhe kryetarin aktual të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, i cili konsiderohet si rival kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Arrestimi i İmamoğlu-s në mars shkaktoi protesta masive në gjithë vendin, ndërsa ai tani përballet me një gjyq për akuzat për falsifikim të diplomës universitare, që mund të rezultojë në një dënim deri në 8 vjet e 9 muaj burg.
Partia CHP e akuzon qeverinë se po zhvillon një fushatë për të dobësuar opozitën dhe për të hapur rrugën rikandidimit të Erdoğan për zgjedhjet e vitit 2028, ose mundësisht më herët nëse mbahen zgjedhje të parakohshme. Nga ana tjetër, qeveria turke mohon këto akuza dhe thekson se gjyqësori është i pavarur.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet të ndodhë të hënën, kur një gjykatë civile në Ankara do të shqyrtojë kërkesën për anulimin e kongresit të CHP-së të mbajtur në vitin 2023. Një vendim i tillë mund të ndryshojë lidershipin e partisë dhe të shkaktojë krizë brenda opozitës, në një kohë kur ajo po përgatitet për betejat e ardhshme elektorale.















