Sot, më 06.09.2025, bëhet një vit nga dorëheqja e Alfred Pezës si drejtor i Radio Televizionit Shqiptar, periudhë që u shënua nga shkarkime masive, akuza për abuzime financiare dhe skandale personale që tronditën institucionin më të madh mediatik publik në vend.
Shkarkime masive dhe kosto për buxhetin e shtetit
Gjatë drejtimit të Pezës, nga RTSH u larguan rreth 145–150 punonjës, një pjesë e mirë e tyre me vendime të shpallura të paligjshme. Gjykata u dha të drejtë dhjetëra gazetarëve dhe punonjësve teknikë, të cilët fituan dëmshpërblime të konsiderueshme financiare. Vetëm nga këto procese, kostoja për institucionin dhe buxhetin publik llogaritet të ketë arritur afro 2 milionë euro, ndërsa borxhi total i RTSH-së gjatë mandatit të Pezës u përllogarit në 6 milionë euro.
Konflikt interesi dhe favorizime
Një tjetër pikë e nxehtë e drejtimit të tij lidhej me emërimet në postet drejtuese. Media raportoi se Peza promovoi në pozita kyçe persona të lidhur me portalin e tij privat “AlpeNews”, duke ngritur akuza të hapura për konflikt interesi dhe shpërdorim detyre.
Deputetja Ina Zhupa, në emër të Partisë Demokratike, ka denoncuar vazhdimisht shkeljet ligjore që nisën me caktimin e Alfred Pezës në krye të RTSH-së. Ajo ka deklaruar se drejtimi i tij i paligjshëm u shoqërua me vendime të po aq paligjshme për shkarkimin e gazetarëve dhe stafit pa arsye, duke e kthyer institucionin në një “kazermë” të bindur ndaj urdhrave të tij absurde.
Raste konkrete të largimeve
• Elton Kadisi – pas 23 vitesh punë në Departamentin e Shitjeve, u shkarkua me motivin absurd të “mossigurimit të disa karrigeve” të kërkuara nga drejtori i përgjithshëm.
• Ogert Peza, përgjegjës i sektorit të operatorëve – pas 20 viteve punë në RTSH, deklaroi se u pushua nga puna sepse refuzoi një urdhër të Alfred Pezës për të deklaruar në mënyrë të rremë se një nga operatorët nuk ishte paraqitur në punë. Pasi ai u shkarkua, operatori u pagua për ditën që drejtori pretendonte se mungonte. Gjykata i dha të drejtë duke e shpërblyer me dy vite paga.
• Irida Bushati, drejtoreshë e Auditit të Brendshëm – u largua me motivin se pesë vite më parë nuk kishte certifikatë auditi në dosje, ndonëse posedonte tre certifikata (dy private dhe një nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë), si dhe përvojë shumëvjeçare si juriste, ekonomiste dhe audituese. U shkarkua pa asnjë procedurë dhe vendi i punës mbeti bosh për një vit. Më pas u zëvendësua nga një punonjëse pa përvojë dhe pa certifikatë auditi. Gjykata e shpalli shkarkimin të pavlefshëm dhe e shpërbleu me 19.5 paga.
• Aurora Pengu (Isallari), moderatore lajmesh në RTSH1 & RTSH24 – u njoftua për largimin me një SMS në WhatsApp, pa asnjë motiv apo bazë ligjore. Ligjërisht në detyrë, ajo u zëvendësua me nipin e Alfred Pezës, Mario Merhori, dhe një gazetare që e kishte intervistuar atë për librin e tij “Enverjada”. Në gjykatë, Peza justifikoi shkarkimin me “ndryshim strukture”, por Këshilli Drejtues nuk kishte miratuar asnjë strukturë të re.
• Madalena Alla, gazetare – u shkarkua për një postim në Facebook. Megjithëse Komisioneri i kërkoi RTSH-së rikthimin e saj në detyrë brenda 45 ditëve, vendimi nuk u zbatua nga Alfred Peza.
• Devis Xhaja, drejtor arkive me 22 vite përvojë në RTSH – u shkarkua pas 10 vitesh në drejtim të arkivit. Largimi u bë menjëherë dhe pa asnjë arsye të komunikueshme.
• Adriatik Braçe, punonjës në sektorin e antenave në Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH-së – u shkarkua pa asnjë arsye nga Alfred Peza. Braçe e kontestoi vendimin në gjykatë dhe e fitoi çështjen kundër RTSH-së, duke u njohur me të drejtën për rikthim ose dëmshpërblim.
• Arben Hoxha, punonjës në Drejtorinë e Projekteve – refuzoi të firmoste projekte që shkelnin ligjin. Për këtë arsye, u shkarkua nga Alfred Peza. Ai e kontestoi vendimin në gjykatë dhe e fitoi procesin, duke u njohur me të drejtën për rikthim ose dëmshpërblim.
• Bjolanda Cuku, gazetare prej 12 vitesh në RTSH – u pushua nga puna pa asnjë paralajmërim dhe në shkelje të plotë të Kodit të Punës. U pushua në ditë pushimi. Gjykata i dha të drejtë dhe dëmshpërblimin me 27 paga.
• Gerald Gjogjini, punonjës prej 20 vitesh në RTSH – u pushua nga puna në shkelje të plotë të Kodit të Punës, me arsyen se nuk ndodhej në vendin e punës. Kjo u hodh poshtë, sepse nga çekini dhe kamerat rezultonte që Gerald Gjogjini ndodhej në vendin e punës dhe për më tepër ai ishte paguar nga financa për ditën e punës që Alfred Peza pretendonte se mungonte. Përmes presionit, Alfred Peza i kërkoi edhe përgjegjësit të operatorëve të bënte deklarim të rremë, por ky i fundit – Ogert Peza – pas verifikimit refuzoi presionin. Si pasojë, ai u thirr nga drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Anila Agalliu, që gjithashtu i kërkoi të bënte deklarim të rremë. Pas refuzimit, ai u pushua nga puna. Gjykata i dha të drejtë si përgjegjësit të operatorëve, ashtu edhe Gerald Gjogjinit, duke u njohur me dëmshpërblimin financiar.
Një vit pas dorëheqjes
Bilanci i drejtimit të Alfred Pezës në krye të Radio Televizionit Shqiptar mbetet i rënduar. Shkarkimet masive, humbjet financiare dhe akuzat për ngacmime seksuale e kanë shënjuar periudhën e tij si një nga më të debatueshmet në historinë e institucionit. Sot, një vit pas dorëheqjes, RTSH ende përballet me pasojat e vendimeve të atyre viteve, ndërsa përgjegjësitë për dëmet e shkaktuara mbeten të paadresuara plotësisht.
Vendimet e tij, të cilat shkelën ligjin dhe rregullat e administratës publike, nuk kanë prekur vetëm individët që u dëmtuan padrejtësisht, por kanë minuar edhe funksionimin dhe stabilitetin e vetë institucionit. Përgjatë kësaj periudhe, media dhe portale të shumta kanë denoncuar shkeljet dhe aferat që lidhen me ish-drejtorin e RTSH-së. Megjithatë, pavarësisht këtyre denoncimeve dhe abuzimeve me paratë e taksapaguesve, as SPAK dhe asnjë strukturë tjetër shtetërore nuk marrin hapa për të vënë para ligjit një ish-drejtor që shkaktoi një dëm ekonomik të parikuperueshëm për institucionin e RTSH-së.
Sot, Alfred Peza shfaqet në një tjetër fushë – atë të pasurive të paluajtshme, ku ka hapur një zyrë të tijën. Ky zhvillim ka ngritur dyshime të reja mbi mënyrën se si janë përdorur dhe investuar fondet e përfituara gjatë periudhës së projekteve të dhëna në RTSH. Jo vetëm kaq: miliona euro janë përdorur për blerje pronash në Tiranë, shtëpi të lëshuara me qira në zemër të bllokut, ku mobilimin e ka bërë sikur po mobilonte zyrat në RTSH, por në të vërtetë mobilonte apartamentin luksoz pranë shkollës juridike në Tiranë. Dhe jo vetëm kaq, por disa miliona lekë mungojnë në arkën e Drejtorisë Ekonomike të RTSH-së – para të marra pa dhënë e të moskthyera më nga Alfred Peza.
Në vend që të mbajë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar, ish-drejtori ka hapur kapitull të ri në biznes privat, ndërsa pasojat e vendimeve të tij po i paguajnë RTSH dhe qytetarët shqiptarë.















