TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në nëj postim në rrjetet sociale ka rikthyer zhdukjen dhe rikthimin e Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI-t
Berisha shprehet se që pas kthimit të tij sërish në banesë, për Daniel Shimën nuk po flet askush më, madje as ai vetë. Kryedemokrati shkruan se Shima është kërcënuar personalisht nga kryeministri Edi Rama, sepse sipas Berishës AKSHI konsiderohet si “miniera e floririt” të Ramës dhe familjes së tij.
“Sipas qytetarit dixhital një muaj më parë Danielin e kishin dërguar për një ‘kafe’ tek Poja por ai pas kësaj ‘kafeje’ kishte shkelur kodin dhe tani u vendos të dërgohej për mësimin e fundit tek Çela. Jo vetëm në arrestimin e tij por edhe në rikthimin e tij dukej qartë dora e zezë e shtetit.“, shprehet Berisha ndër të tjera.
Kreu i PD-së thotë se Shima u kthye në shtëpi pas 12 orësh i zhdukur, dhe ishte dërrmuar psikologjikisht dhe fizikisht. Berisha thotë se nga dita e kthimit në shtëpi, është vendosur një kod “omerta” dhe askush nuk flet më për Danielin.
POSTIMI I PLOTË:
Për Danielin askush nuk flet!
Miq, Danieli u harrua. Daniel Shima u arrestua, rrëmbye në orën 13:30 të datës 20 gusht siç njoftoi vetë me një mesazh dërguar familjes: ‘Po më arrestojnë’ që do ishte SOS shpëtimtar për jetën e tij. Danieli nuk u arrestua nga policia zyrtare e narko-shtetit as dhe nga prokuroria e Altin “Troplinit” që rrëmbeu gazetarin Elton Qyno. Danieli u rrëmbye, arrestua si Stafuka që u zhduk pa nam e nishan nga policia private që në operacione të saj speciale vesh uniformën e policisë së shtetit dhe ka kompetenca më speciale se sa dy të parat. Ajo varet direkt nga kreu i narko-shtetit.
Për Danielin, ish-zëvendës drejtorin e përgjithshëm të AKSH, dihet se u shkarkua më 19 mars 2024 nga famëzeza Karçanaj pas seancës shumë orëshe në SPAK dhe njohjen me sa duket me dëshmitë e tij tronditëse. Për Danielin dihet se ai është nga ata zyrtarë të lartë që është kërcënuar direkt personalisht nga Edi Rama, mbasi AKSHI konsiderohet si miniera e floririt të Edi Ramës dhe familjes së tij.
Besohet se Danieli është personi që kontribuoi në vendosjen e çimkave që regjistruan bisedën e G. Meçes me një person tjetër ku lakohej emri i Armand Fangut dhe kunatës së tij Linda Ramës. Për të gjitha këto, Danielit duhet t’i mbyllej goja përgjithmonë. Sipas qytetarit dixhital një muaj më parë Danielin e kishin dërguar për një ‘kafe’ tek Poja por ai pas kësaj ‘kafeje’ kishte shkelur kodin dhe tani u vendos të dërgohej për mësimin e fundit tek Çela. Jo vetëm në arrestimin e tij por edhe në rikthimin e tij dukej qartë dora e zezë e shtetit. Pas një zhdukje prej rreth 12 orë gjithçka u qartësua.
Danieli u kthye në dy të natës në shtëpi i bërë fërtele psikologjikisht dhe fizikisht. Rikthimi i Danielit tregon se rrëmbyesit e tij nuk e kishin rrëmbyer atë për llogari të tyre por me porosi. Porositësit e lartë të grabitjes, për shkak të zhurmnajës së madhe që u ngrit në media nga mesazhi i tij, gjykuan se për ta ishte më me leverdi ta linin të gjallë dhe pa gojë si në rastin e zyrtarëve të tjerë se sa ta zhduknin atë, mbasi të akuzuar kryesor për këtë krim tashmë të paralajmëruar do ishin vetë Edi Rama dhe koordinatori i tij për krimin famëziu Agasi.
Por edhe paskthimi i Danielit flet po aq shumë për dorën e zezë të shtetit në krimin që tronditi dheun. Nga dita e kthimit në shtëpi, thuhet i torturuar mizorisht e deri sot, në një kod omerta askush nuk flet më për Danielin. Kodi i plotë omerta pas kthimit të tij mund ta vendoste vetëm kreu i organizatës, pra Rama dhe askush tjetër. Të gjithë heshtin dhe vetëm heshtin.
Vetë ai hesht si fije bari, kafeja tek Poja ishte lule krahasuar me torturat prej 4 orësh në bodrumin e Çelës. Heshtin mediat, emri Daniel nuk ekziston më në asnjë media dhe asnjë gazetar nuk mori mundimin të hetojë rreth gjendjes së tij. Hesht Avokati i Popullit, hesht shoqëria civile… Kjo heshtje e tmerrshme flet vëllime të tëra për shoqërinë në narkodiktaturë. Të krijohet përshtypja se me heshtjen e tyre të gjithë i druhen fatit të Danielit. Por heshtja për Danielin është një akuzë morale për të gjithë ata që heshtin sepse po zbatojnë verbërisht kodin omerta që nuk është i tyre por i narkoshtetit.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FSaliBerisha%2Fposts%2Fpfbid02z2ijPUiwN1D3GC6ishRMaFLkC9YKgbULymrpzHc7omNXxWzdeqUVkniBeVaav44Rl&show_text=true&width=500
Zhdukja dhe kthimi i Daniel Shimës
Ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, Daniel Shima u kthye pranë familjes një ditë pasi u denoncua në polici si person i zhdukur. Pas më shumë se 10 orësh i zhdukur, ai tha se pas një konflikti me të dashurën kishte vendosur të largohej drejt jugut për disa ditë që të qetësohej. Shima shtoi se pasi ka parë që familjarët janë shqetësuar dhe rasti është bërë mediatik ka vendosur të kthehet.
Ai nuk ka folur asgjë lidhur me mesazhin që i ka dërguar nënës së tij ku i tregonte se po e arrestonin. Policia lidhur me zhdukjen e tij hapi hetimet për rrëmbim si dhe inskenim i zhdukjes. Duke qenë se rasti u bë mediatik dolën në dritë edhe deklaratat se ai më parë është kërcënuar.
Emri i tij u përmend nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj gjatë një intervistë nga arratia në korrik të vitit 2024. Ahmetaj foli atëherë për një përgjim ambiental të kapur nga SPAK për tendera në vlerën e 43 milionë eurove ose 43 miliardë lekëve, përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Ahmetaj theksoi atëherë se AKSHI është tmerr dhe Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Mos ndoshta pas këtyre deklaratave se ishte me pushime fshihet diçka tjetër dhe policia po tenton të zbardhë të vërtetën. Edhe mos sqarimi i mesazhit të dërguar që po e arrestojnë, lë pas hije dyshimi se zhdukja e tij për disa orë mund të jetë diçka më serioze sesa një konflikt me të dashurën.















