Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka rikthyer shoqërinë “Alba Exotic Fruit” te pronarët e saj, Eduart Dauti dhe Bajron Gumeni, pas pushimit të akuzave për “grup të strukturuar kriminal” dhe “trafik narkotikësh” nga Prokuroria e Posaçme dhe Prokuroria e Durrësit. Vendimi për heqjen e sekuestros është miratuar nga Gjykata e Durrësit më 15 korrik 2025.
Shoqëria ishte vendosur nën sekuestro në tetor 2021 si pjesë e një hetimi për trafik kokaine nga Amerika Latine në Shqipëri. Arrestimet e Dautit dhe Gumenit ndodhën pas disa episodeve ku u gjetën sasi të konsiderueshme kokaine të fshehur në kontenierët me banane të porositur nga firma e tyre. Hetimet filluan pas kapjes së 11.5 kg kokainë në portin e Durrësit më 13 korrik 2021, dhe episodet vazhduan me kapjen e sasisë së drogës në kontenierë të tjerë.
Prokuroria e Posaçme, pas hetimeve të zhvilluara, shpalli moskompetencën në korrik 2022, duke e kaluar rastin te Prokuroria e Durrësit, e cila përfundoi se nuk kishte prova që lidhin pronarët me krimin e akuzuar. Një analizë financiare e kryer gjithashtu konfirmoi se ata nuk kishin pasuri të pajustifikuara.
Me pas, në prill 2024, Prokuroria e Durrësit kërkoi pushimin e procedimeve dhe heqjen e sekuestros, një kërkesë që u pranuar nga gjykata. Pas katër vitesh hetimesh, autoritetet nuk arritën të identifikonin personat përgjegjës për dërgesat e kokainës.