FIER– Kryeplaku i fshatit Frashër të Fierit është shprehur sot se të gjithëve në zonë u ka ardhur keq për vrasjen e 56-vjeçarit, Anesti Rama. Në një intervistë për Top Channel, ai e përshkruan viktimën si një njeri punëtor dhe të qetë, ndërsa shtoi se ka pasur probleme në familjen Rama dhe se gruaja me vajzat e linin pa bukë. Gjithashtu ai tha se ka qenë dëshmitar okular kur familjaret e dhunonin.
“Anesti ka qenë burrë i mirë, punëtor, por ka pasur probleme familjare me gruan, fëmijët. Nuk shkonte mirë. Arrinte sa e linin pa bukë të shkretin, ankohej tek unë. ‘Duan të më nxjerrin nga shtëpia’ më thoshte. Ata merrnin ndihmë ekonomike, i kam ndihmuar sa kam mundur.
Kush e di sa herë ka shkuar policia në shtëpinë e tyre. Unë nuk dija gjë, kur shkova afër banesës ishin ata të krimeve aty. Thanë se i kishte rënë infarkt, por e kishin mbytur. Na ka ardhur të gjithëve keq, se ishte djalë pa llafe, punëtor. Ato nuk e trajtonin mirë. Viktima punonte në një firmë private.
Ai vetëm ankohej i shkreti. E rrihnin, godisnin në syrin tim. Ça të them unë… ato ha, pi, rri dhe punonte ai i shkreti. Jemi të prekur shumë si fshat. Janë tre vëllezër këta. Njëri prej tyre e mori në Greqi ku punoi atje dhe bëri shtëpinë. Familja i thoshin ‘ik nga shtëpia, s’të duam’”, tha kryeplaku.















