TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të miratohet me ligj një “listë e zezë” e ndërtuesve dhe investitorëve. Gjatë takimit me deputetët dhe drejtorët e bashkisë së Tiranës, Rama tha se kush bëhet pjesë e kësaj liste do të ketë penalizime të rënda.
Ai ka njoftuar gjithashtu se do të merren masa drastike për dy kategori ndërtuesish, të cilët kreu i qeverisë i ka cilësuar si më problematikët. Rama iu bëri thirrje këtyre ndërtuesve të zgjidhin problematikat para miratimit të aktit normativ nga qeveria.
“Do të miratohet me ligj krijimi i një listë të zezë të ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojn me territorin dhe shkelin lejet e ndërtimit. Kush hyn në këtë listë do të penalizohet për një numër të caktuar vitesh. Do marrim masat për një kategori ndërtuesish problematike, që njihen si mashtruesat që nuk linin banorët të futenin në pallat apo disa të tjerë si ata që i lënë blerësit e apartamenteve pa hipoteka. Masat për këtë kategori do të jenë drastike. Ju bëj thirrje ta zgjidhin këtë problematike para miratimit të aktit normativ.”, tha Rama.















