TIRANË- Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, ka reaguar pas debatit të zhvilluar dje në Parlamentin Europian mbi raportin për Shqipërinë. Përmes një videomesazhi Tabaku shprehet se pengesa kryesore për integrimin europian të Shqipërisë mbetet qeverisja aktuale.
Deputetja demokrate vuri në dukje problematikat e thella që përmenden në raport, sipas saj, si presioni mbi administratën publike, blerja dhe intimidimi i votës, përdorimi i burimeve shtetërore në funksion të fushatave elektorale. Tabaku theksoi gjithashtu se sot, 35 vite pas rënies së diktaturës, Shqipëria ende nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira.
Deklarata e plotë e Tabakut:
Shqiptarët çdo ditë sillen si europianë në punë, në përpjekje, në sakrifica. Në çdo aktivitet që kryejnë për familjen e tyre dhe në sjelljen ndaj shtetit. Fatkeqësisht, pengesa kryesore për integrimin europian vazhdon të mbetet qeverisja. Pengesa kryesore e Shqipërisë është mazhoranca aktuale.
Ashtu siç përmendet në raportin e Parlamentit Europian, i cili u diskutua dje dhe po votohet sot Shqipëria është një sfidë jashtëzakonshme për demokracinë dhe institucionet. Nga zgjedhjet me probleme, presioni mbi administratën, blerja e votës, intimidimi i votuesve dhe përdorimi i shtetit në funksion të fushatës janë të gjitha fenomene që nuk duhet të ekzistonin në Shqipërinë e vitit 2025, por ekzistojnë.
Nga ana tjetër, një tjetër pengesë madhore është korrupsioni. 80% e shqiptarëve besojnë se korrupsioni e pengon jetën e tyre, kryesisht në shëndetësi, polici, arsim, pronë, hipotekë dhe biznes. Shqipëria ka nevojë për një qasje krejtësisht të re. Për një përfshirje të gjerë. Për reforma që ndihen në ekonomi. Një ekonomi që prodhon për të gjithë, jo për pak njerëz.
Reformat duhen të fillojnë nga biznesi dhe të shkojnë deri tek demokracia me institucione që balancohen, me një parlament që ka rol, dhe akoma më thelbësore me zgjedhje që respektojnë standardet. Sot, 35 vite pas rënies së diktaturës, Shqipëria ende nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira. Ende përdoret partia-shtet në çdo qelizë për të ndikuar e për të manipuluar rezultatin.
Këto janë çështjet kryesore që ngriti raporti i Parlamentit Europian. Këto janë sfidat që ka Shqipëria sot. Dhe kjo është rruga që duhet ndjekur: reforma të thella, gjithëpërfshirëse dhe një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si funksionon shteti. Europa na sheh ndryshe. Ndërkohë që qeverisja vijon të na shohë me lupën e 35 viteve më parë.