IRAN- Kreu i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së ka deklaruar se Irani ka kapacitetin për të filluar përsëri pasurimin e uraniumit dhe për të ndërtuar një bombë bërthamore brenda pak muajsh. Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), tha se sulmet amerikane në tre site iraniane fundjavën e kaluar kishin shkaktuar dëme të rënda, por jo totale, duke kundërshtuar pretendimin e Donald Trump se objektet bërthamore të Iranit ishin shkatërruar plotësisht.
“Sinqerisht, nuk mund të pretendohet se gjithçka është zhdukur dhe se nuk ka asgjë atje”, tha Grossi të shtunën.
Izraeli sulmoi bazat bërthamore dhe ushtarake në Iran më 13 qershor, duke pretenduar se Irani ishte afër ndërtimit të një arme bërthamore. SHBA-të më vonë iu bashkuan sulmeve, duke hedhur bomba në tre nga objektet bërthamore të Iranitm Fordo, Natanz dhe Isfahan.
Që atëherë, shkalla e vërtetë e dëmit ka qenë e paqartë. Të shtunën, Grossi i tha CBS News, partnerit mediatik amerikan të BBC-së, se Teherani mund të ketë brenda pak muajsh disa kaskada centrifugash që do të rrotullohen dhe prodhojnë uranium të pasuruar.
Ai shtoi se Irani ende zotëronte kapacitete industriale dhe teknologjike, kështu që nëse dëshirojnë, do të jenë në gjendje të fillojnë ta bëjnë këtë përsëri, IAEA nuk është organi i parë që sugjeron se aftësitë bërthamore të Iranit mund të vazhdojnë ende më herët këtë javë, një vlerësim paraprak i Pentagonit i publikuar zbuloi se sulmet amerikane ndoshta vetëm sa e kanë vonuar programin me muaj.
Trump u kundërpërgjigj me tërbim duke deklaruar se centralet bërthamore të Iranit ishin shkatërruar plotësisht dhe akuzoi median për një përpjekje për të poshtëruar një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori. Për momentin, Irani dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim. Nga ana tjetër, Irani ka dërguar mesazhe kontradiktore mbi dëmet e shkaktuara.
Në një fjalim të enjten, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se sulmet nuk kishin arritur asgjë domethënëse. Megjithatë, ministri i jashtëm Abbas Araghchi tha se ishte shkaktuar dëm “i tepërt dhe serioz”. Marrëdhënia tashmë e tendosur e Iranit me IAEA-n u sfidua më tej të mërkurën, kur parlamenti i tij vendosi të pezullojë bashkëpunimin me mbikëqyrësin atomik, duke akuzuar IAEA-n se po mban anën e Izraelit dhe SHBA-së.
Të dy vendet sulmuan Iranin pasi organi i OKB-së muajin e kaluar zbuloi se Teherani kishte shkelur detyrimet e tij për mospërhapje për herë të parë në 20 vjet. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe vetëm për përdorim civil. Pavarësisht refuzimit të Iranit për të punuar me organizatën e tij, Grossi tha se shpresonte që ai ende të mund të negocionte me Teheranin.
“Duhet të ulem me Iranin dhe ta shqyrtoj këtë çështje, sepse në fund të fundit, e gjithë kjo çështje, pas sulmeve ushtarake, do të duhet të ketë një zgjidhje afatgjatë, e cila nuk mund të jetë veçse një zgjidhje diplomatike“, tha ai.
Sipas një marrëveshjeje bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore, Iranit nuk i lejohej të pasuronte uranium mbi pastërtinë 3.67% niveli i kërkuar për karburant për centralet bërthamore komerciale dhe nuk i lejohej të kryente asnjë pasurim në uzinën e tij Fordo për 15 vjet.
Megjithatë, Trump e braktisi marrëveshjen gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2018, duke thënë se ajo bëri shumë pak për të ndaluar një rrugë drejt një bombe dhe rivendosi sanksionet e SHBA-së.
Irani u hakmor duke shkelur gjithnjë e më shumë kufizimet veçanërisht ato që lidheshin me pasurimin. Ai rifilloi pasurimin në Fordo në vitin 2021 dhe kishte grumbulluar mjaftueshëm uranium të pasuruar 60% për të prodhuar potencialisht nëntë bomba bërthamore, sipas IAEA-s.