TIRANË- Kryeministri Edi Rama udhëtoi disa ditë më parë drejt Hagës me një avion privat luksoz, të tipit Gulfstream G-IVSP, me regjistrim TC-EMR, për të marrë pjesë në samitin e NATO-s. Videoja e zbarkimit të tij në aeroportin Schiphol së bashku me bashkëshorten Linda Rama, u publikua nga Dosja.al, duke ngritur menjëherë pyetje për kostot dhe burimin e pagesës së këtij çarteri, që kushton 35 mijë euro për një fluturim disa orësh si ai i Ramës.
Pas presionit publik, dje Kryeministria reagoi përmes Agjencisë për Informim dhe Media (MIA), duke thënë se çarteri nuk është paguar nga vetë qeveria, por nga kompania “Air Albania”, në kuadër të një marrëveshjeje të mëparshme për transportin e kreut të qeverisë. Sipas sqarimit të MIA, nuk ka asnjë pagesë të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për këtë fluturim:
“Fluturimi është realizuar në kuadër të marrëveshjes së hershme mes Kryeministrisë dhe ‘Air Albania’. Kompania, si pjesë e kësaj marrëveshjeje, është përgjegjëse për transportin e Kryeministrit, edhe në rastet kur avioni i dedikuar është në mirëmbajtje.”
Agjencia shton se kjo nuk është hera e parë që përdoret një avion alternativ dhe se praktika është e zakonshme në shumë vende evropiane ku nuk ka avion shtetëror në pronësi. Deri këtu, çdo gjë në rregull. Por faktet flasin ndryshe. Pavarësisht këtij shpjegimi, informacionet e siguruara nga Dosja.al tregojnë se avioni “Airbus A319-100 AC” i përdorur nga Rama në të kaluarën nuk është më në dispozicion të qeverisë shqiptare. Avioni i Air Albania i është dorëzuar Turqve në tetor të 2023-ës, edhe pse defekt nuk ka patur dhe që prej asaj kohe vazhdon të jetë në punë nga qeveria turke.
Të dhënat
Sipas të dhënave të aviacionit, avioni me regjistrim TC-GVC është regjistruar në Maj 2024 si pjesë e flotës së qeverisë turke. Kjo do të thotë se që prej Tetorit 2023, Shqipëria nuk ka më një avion qeveritar nën përdorim. Atëherë kush e paguan? Ku janë faturat?! Fjalët janë fluturake. Por faturat nuk janë. Dhe këto të fundit mungojnë.
Dhe pastaj, kur i hedh sytë drejt “Air Albania”, kupton farsën: Një kompani që nuk ka më avion, që është zhytur në borxhe, nuk paguan taksa dhe nuk shpall falimentin sipas ligjit, ekziston për një arsye të vetme – t’i sigurojë charter Kryeministrit. As nuk gjeneron fitim, as nuk mbulon shpenzimet e saj. Sepse për çdo 1 milion euro gropë që hap “Air Albania”, ka një charter tjetër që ngrihet në qiell për udhëtimin e radhës të Kryeministrit.
Ndoshta do na dilte më lirë t’i paguanim direkt atij ato 40 mijë euro për fluturim, sesa të mbajmë gjallë një kompani fantazmë me miliona euro humbje në vit, vetëm që të duket sikur nuk po paguan askush. Keqardhja më e madhe është që kompania që u themelua për ti dhënë dinjitet dhe zhvillim aviacionit shqiptar është katandisur në një zyrë financiare të Kryeministrit, që paratë e taksapaguesve ka gjetur një mënyrë si ti shpërdorojë me çarter, puro e sushi.