MILOT- Detaje të reja kanë dalë nga të shtënat me armë në Milot ditën e sotme. Burime për Dosja.al, bëjnë me dije se në Qendrën e Votimit 0871 Fushë Milot, në shkollën 9-vjeçare 28 Nëntori, janë konfliktuar me njëri-tjetrin 2 persona të identifikuar si Kastriot Preng Perdoda dhe Asti Lleshi.
Konflikti ka nisur brenda perimetrit të sigurisë në formë debati me fjalë dhe ka përfunduar jashtë perimetrit të sigurisë. Sipas informacioneve paraprake shtetasi Kastriot Perdoda dyshohet se ka shtënë një herë në ajër me armë zjarri, jashtë perimetrit të sigurisë.
Njoftimi i Policisë:
Kurbin/Informacion paraprak Në Fushë Milot, jashtë perimetrit të qendrave të votimit, ka ndodhur një konflikt verbal mes dy shtetasve, ku, sipas një telefonuesi, është dëgjuar një zhurmë e ngjashme si e shtëna me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo send tjetër i kundërligjshëm. Në vijim të veprimeve hetimore, janë identifikuar personat e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit K. P. dhe A. Ll., dhe po punohet për lokalizimin dhe shoqërimin e tyre. Procesi i votimit vazhdon normalisht në të gjitha qendrat e votimit dhe nga KQV-të apo Koordinatorët e sigurisë, nuk është kërkuar ndërhyrja e policisë. Grupi hetimor, i ndodhur në vendngjarje, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.















