LIBRAZHD- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim elektoral në Librazhd. Berisha tha se miratimi i djeshëm i rezolutës nga PPE denoncoi si armiq të egër të votës së lirë kryeministrin Edi Rama dhe atë që e konsideron si “regjim”. Berisha tha se PD shkon në zgjedhje e sigurt në një fitore të thellë, në një fitore me të cilën, sipas tij, qytetarët e Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë, votojnë për veten e tyre, për familjen e tyre, për të ardhmen e tyre.
“Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se me programin tonë ne do u kthejmë paratë qytetarëve shqiptarë dhe se çdo pensionist, në këtë rreth, në këtë qark, në Shqipëri, brenda 100 ditëve të para nuk do ketë kurrë një pension nën 200 euro. Do vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh, i cili përmirëson gjendjen e 560 mijë pensionistëve me pensione nën 170 euro. Minimumi jetik do u jepet të gjithë shqiptarëve në ndihmë ekonomike, të gjithë të papunëve, të gjithë studentëve me brusë dhe prindërve me një fëmijë“, tha ai.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Librazhdit, banorë të këtij rrethi, përshëndetjet më të përzemërta kudo që ndodheni sot në këtë shesh, në rrethin e Librazhdit, në Shqipëri dhe emigracion. I dashur zoti Tomor Alizoti, udhëheqës politik i qarkut të Elbasanit, i dashur kryetar i PD për Librazhdin, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj. U sjell përshëndetjet më të përzemërta nga Kongresi i Partisë Popullore Europiane, partisë më të fuqishme që qeveris sot me 14 kryeministra, drejton Komisionin Europian, Parlamentin Europian, të cilët dje votuan me unanimitet një rezolutë në mbështetje të secilit prej jush, të votës tuaj, të fitores së PD dhe denoncuan Edi Ramën, klikën e tij si armiq të egër të votës së lirë të shqiptarëve.
Pra, ne shkojmë në datën 11 maj në zgjedhje të sigurt në një fitore të thellë, në një fitore me të cilën qytetarët e Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë, votojnë për veten e tyre, për familjen e tyre, për të ardhmen e tyre, të ardhmen e Librazhdit dhe gjithë Shqipërisë. Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se me programin tonë ne do u kthejmë paratë qytetarëve shqiptarë dhe se çdo pensionist, në këtë rreth, në këtë qark, në Shqipëri, brenda 100 ditëve të para nuk do ketë kurrë një pension nën 200 euro. Do vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh, i cili përmirëson gjendjen e 560 mijë pensionistëve me pensione nën 170 euro. Minimumi jetik do u jepet të gjithë shqiptarëve në ndihmë ekonomike, të gjithë të papunëve, të gjithë studentëve me brusë dhe prindërve me një fëmijë.
100 ditët e para ne nxjerrim shqiptarët nga varfëria e skajshme. Dhe jo vetëm kaq, por çdo shqiptari me rrogë të ulët 500 euro, çdo pensionisti ne i japim kartën e konsumatorit me të cilën ai do blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë se të tjerët, çka do të thotë se do marrë në vit 450 euro kompensim. Në 100 ditët e para, çmimi i naftës do ulet me 40 përqind, nuk do shitet kurrë më shumë se minus/plus 10 përqind të çmimit në Maqedoni dhe Kosovë. Miq, pra ne japim një goditje përfundimtare mjerimit apo varfërisë ekstreme. Nuk do ketë shqiptar që të ketë nën 6.3 euro në ditë. Me programin tonë, Aleanca për Shqipërinë Madhështore do t’i japë biznesit një frymëmarrje të re të fuqishme.
Biznesi i vogël do paguajë energjinë me 6 lekë nga 18 që e paguan sot. Do të përgjysmohet tarifat e ujit. Do pjesëtohet me 5, tarifa e hapësirës publike. Do rriten tavanet në 180 mijë euro për TVSH-në dhe tatim fitimin për bizneset e vogla. Për bizneset e tjera vendoset taksa e sheshtë 10 përqind nga 23 përqind. TVSH-ja ulet në 15 përqind nga 20 përqind. Shqipëria do jetë vendi me klimën më të mirë të biznesit. Edhe ato energjinë do e paguajnë 6 lekë nga 18 që paguajnë sot.