“Bloomberg”
Një projekturdhër ekzekutiv i administratës Trump që qarkullon midis diplomatëve amerikanë propozon një reduktim radikal dhe ristrukturim të Departamentit të Shtetit, sipas një kopjeje të dokumentit të parë nga Bloomberg.
Ndryshimet, nëse zbatohen, do ishin një nga riorganizimet më të mëdha të Departamentit të Shtetit që nga themelimi i tij në vitin 1789. Drafti prej 16 faqesh është përhapur mes diplomatëve në mbarë botën, sipas zyrtarëve të njohur me dokumentin.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio të dielën e quajti rishikimin e raportuar si “lajme të rreme” në një postim në X.
Urdhri do eliminonte dhjetëra poste dhe departamente, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me klimën, refugjatët, demokracinë dhe Afrikën, si dhe Byronë e Organizatave Ndërkombëtare, e cila lidhet me Kombet e Bashkuara. Ai gjithashtu do përfshijë një shkurtim të mprehtë të operacioneve diplomatike në Kanada.
Sipas ndryshimeve, Departamenti i Shtetit do riorganizohet në katër zyra rajonale që mbulojnë Indo-Paqësorin, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme dhe Euroazinë. Një numër i paspecifikuar ambasadash dhe konsullatash “jo thelbësore” në Afrikën Sub-Sahariane do mbyllen.
Ndryshimet duhet të bëhen brenda datës 1 tetor, sipas draftit.
Drafti i urdhrit u raportua fillimisht nga Neë York Times. Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Nairobi nuk pranoi të komentojë.
Mbetet e paqartë nëse e gjithë përmbajtja e draft-urdhrit do nënshkruhet nga presidenti Trump. Një zyrtar i lartë në Afrikë tha se informacioni që qarkullon brenda Departamentit të Shtetit në lidhje me reformat që do t’i njoftohen shërbimit të jashtëm – potencialisht të martën – do ishin më pak gjithëpërfshirëse sesa ato të përshkruara në dokument.
Disa punonjës që shkruanin në një faqe Reddit të dedikuar për shërbime të huaja shprehën gjithashtu dyshime se si mund të zbatohej një urdhër i tillë.
Operacionet në Afrikë, Kanada
Urdhri siç është tani do eliminonte, ndër të tjera, Byronë e Çështjeve Afrikane, të dërguarin special për klimën, Byronë e Organizatave Ndërkombëtare dhe Zyrën e Çështjeve Globale të Grave, si dhe një numër zyrash të tjera të diplomacisë publike dhe të marrëdhënieve publike.
“Marrëdhëniet diplomatike me Kanadanë do kenë një ekip të reduktuar ndjeshëm të deleguar si Zyra e Çështjeve të Amerikës së Veriut (NAAO) brenda Zyrës së Sekretarit,” sipas dokumentit. Kjo përfshin një zvogëlim të konsiderueshëm të ambasadës së SHBA-së në kryeqytetin Otava.
Stafi diplomatik tani do caktohet në rajone, ku do pritet që të qëndrojnë gjatë gjithë karrierës së tyre, në vend që të bëjnë rokadë nëpër botë. Diplomatët e tanishëm që nuk duan të bashkohen me strukturën e re, mund të aplikojnë për një zgjidhje të kontratës deri më 30 shtator.
Një provim i ri i shërbimit të jashtëm do formulohet gjithashtu që kërkon “përputhje me vizionin e politikës së jashtme të Presidentit”, sipas projekt-memorandumit.
Bursa prestigjioze Fulbright, e cila ka dërguar mijëra studentë në mbarë botën për studime, do riformulohet si “vetëm për studime të nivelit master në disiplina të lidhura me sigurinë kombëtare” me përparësi “të dhënë programeve me mësim intensiv në gjuhët kritike”, duke përfshirë kinezçen, gjuhën mandarine, rusishten, persisht dhe arabishten.
Urdhri gjithashtu do u jepte fund bursave të lidhura me universitetin”Black Howard” në Uashington, si pjesë e mbylljes së nismave të larmishmërisë, barazisë dhe përfshirjes (DEI) të administratës Trump.
Sipas planit, Byroja e Çështjeve Humanitare “do marrë përsipër çdo detyrë kritike për misionin e kryer më parë nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID)”, të cilat administrata e ka mbyllur kryesisht gjatë muajve të fundit dhe e ka vënë nën kontrollin e Departamentit të Shtetit.
“Të gjitha pozicionet dhe detyrat duhet të marrin miratimin e qartë me shkrim nga presidenti”, sipas urdhrit.
Forca punëtore e Departamentit të Shtetit përfshin rreth 13,000 anëtarë të Shërbimit të Jashtëm, 11,000 punonjës të Shërbimit Civil dhe 45,000 staf të punësuar në më shumë se 270 misione diplomatike në mbarë botën, sipas faqes së tij të internetit.