Hetimet për vrasjen makabre të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, nga ish i dashuri i saj vijojnë ende, duke nxjerrë në dritë detaje të rënda lidhur me krimin e rëndë të Mark Samson, i cili e vrau të renë në shtëpinë e tij me thikë dhe më pas e hodhi në greminë, të futur në një valixhe.
Për të humbur gjurmët, Mark Samson u përpoq për disa ditë të fshihte krimin duke përdorur telefonin e saj dhe duke u shkruar miqve dhe familjes së Ilarias, duke u shtirur se ishte ajo, madje ai ka implikuar në biseda dhe një djalë më të cilin Ilaria kishte nisur të fliste dy ditë para së vritej.
Djali në fjalë, identiteti i të cilit është mbajtur i fshehtë ka vendosur të flasë për mediat, për të mbrojtur veten dhe për të treguar sesi u bë pa dashur pjesë e një tragjedie që nuk kishte asnjë lidhje me të.
Ai nuk ka asnjë lidhje me krimin dhe nuk e ka takuar kurrë viktimën, as nuk ka komunikuar me të përtej një bisede të shkurtër në Tinder. Megjithatë, fytyra e tij u përdor për të mashtruar hetuesit dhe për të mbuluar gjurmët e një vrasjeje mizore.
“Ajo foto është e imja,”, dëshmon i riu me origjinë nga Campania. “Mark e mori nga Tinder për t’u bërë mikeshave të Ilaria-s të besonin se ajo kishte ikur me mua në Napoli për ‘t’u zbavitur’. Në të vërtetë, unë isha në Romë, në punë. U përpoq të më fusë në kurth, por nuk kam asnjë lidhje me këtë histori.”, ka treguar ai.
Sipas dëshmisë së tij, ai kishte kontaktuar me Ilaria-n në Tinder më 24 mars, vetëm dy ditë para zhdukjes së saj. Por biseda nuk kishte vazhduar më tej dhe të dy nuk kishin pasur asnjë kontakt tjetër, as përmes telefonit e as ndonjë takim fizik.
“Ishte një nga ato bisedat e shumta që mbeten të hapura. Nuk më bëri përshtypje që nuk folëm më,”– shprehet i riu.
Por ndërkohë, Mark Samson, i cili tashmë ka pranuar vrasjen, kishte marrë një fotografi të djalit nga telefoni i Ilaria-s dhe, pasi e kishte vrarë atë, nisi të dërgonte mesazhe mikeshave të saj, duke u shtirur si vetë viktima. Në ato mesazhe, ai pretendonte se Ilaria kishte udhëtuar drejt Napolit me një djalë që kishte njohur jashtë universitetit dhe se kishin pasur marrëdhënie intime.
Qëllimi i manipulimit ishte i qartë, të largohej dyshimi nga vetë Samson dhe të krijohej një version alternativ i ngjarjes, i bazuar në një histori të trilluar.
“Ajo më kishte thënë që kishte dalë nga një lidhje e gjatë, por nuk dukej e frikësuar apo e shqetësuar. Nuk besoj se ndjente ndonjë rrezik, ndoshta sepse ai nuk i kishte dhënë asnjë arsye për të dyshuar,” vijon dëshminë e tij 27-vjeçari.
I riu thekson se as Ilaria, as Mark, nuk dinin asgjë reale për të. Mediat shkruajnë se ai ka lindur dhe është rritur në Romë, ndonëse është me origjinë nga Campania. Që në momentet e para të hetimeve, ai ka bashkëpunuar me autoritetet dhe ka dhënë çdo informacion të nevojshëm.
“Samson njollosi fytyrën time pa asnjë arsye. Më përdori për të fshehur një krim,” – thotë ai.
Ndërkohë, vetë Samson, përmes avokatëve të tij, ka kërkuar të merret sërish në pyetje nga prokurorët.