Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka reaguar pas incidentit të regjistruar në Fier ditën e djeshme, mes agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Forcave të Operacionales dhe disa të afërmeve të ish-kryebashkiakut të Mallkastrës Agron Kapllanaj.
SPAK thotë se Byroja Kombëtare e Hetimit ka konfirmuar sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill dhe thekson se hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos.
“Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier”, thuhet më tej në reagimin e SPAK.
SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.
Lidhur me ngjarjen e djeshme, policia ka arrestuar dy nipërit e ish-kryebashkiakut të djathtë, Ledjan dhe Klaudjo Kapllanaj si dhe Gerald Kollçaku.
Ngjarja mbetet ende e paqartë, por parapriksht thuhet se agjentët kanë qenë me shërbim dhe kanë ngritur edhe një dron në hyrje të qytetit të Fierit që ka shkuar pranë disa bizneseve, mes të cilëve edhe një në pronësi të Shkëlqim Kapllanaj, i afërm i ish-kryebashkiakut.
Ky i fundit në një deklaratë për mediat ka thënë versionin se në parkimin e zyrave të subjektit politik që ai përfaqëson ka shkuar një mjet i pa loguar rreth orës 18:00 dhe ka ngritur një dron.
Ky veprim sipas tij ka ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës, të cilët kanë debatauar me efektivët.
Pas debatiti agjentët janë larguar sipas Kapllanaj, por janë ndjekur nga disa zyrtarë të subjektit politik dhe dy të afërm të tij.
Kapllanaj pretendon se nuk kanë pasur informacion dhe nuk iu është thënë se ishin agjentë të BKH dhe nga këta të fundit sipas tij është nxjerrë edhe arma në formë kërcënimi.