TIRANA– Erion Veliaj figuron zyrtarisht si banor i Bashkisë Durrës, njësisë Administrative Durrës dhe me qendër votimi në I. E. P. V. D. Durrës. Nga një kërkim në listën e KZS-së për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Veliaj rezulton t’i jetë shtuar listës së zgjedhësve në Durrës.
Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike dhe avokati Marash Logu me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se neni 61, pika 1, gërma “c”, e Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur.
Lista e zgjedhësve
Logu shton se duke qenë se tashmë Veliaj nuk rezulton më si banor i Bashkisë Tiranë, por si banor i Bashkisë Durrës, kjo do të thotë që ai automatikisht humbet mandatin e kryebashkiakut të Tiranës. Gjithashtu ai thotë se Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk i mbetet tjetër veçse të njoftojë Këshillin e Ministrave, i cili ia përcjell njoftimin Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Postimi i plotë:
Erion Veliaj humbet mandatin e kryetarit të Bashkisë Tiranë!
Neni 61, pika 1, gërma “c”, e Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur. Duke qenë se tashmë Erion Veliaj nuk rezulton më si banor i Bashkisë Tiranë, por si banor i Bashkisë Durrës, kjo do të thotë që ai automatikisht humbet mandatin e kryebashkiakut të Tiranës. Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk i mbetet tjetër veçse të njoftojë Këshillin e Ministrave, i cili ia përcjell njoftimin Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fmarashlogu.al%2Fposts%2Fpfbid024WLtEaYg6ex1MizQs8HA5iX3raHcewfms8DL8DLp4qYiccwfY6nHWJsbMyfqGLZil&show_text=true&width=500
Arrestimi i Veliajt
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
Çfarë ka ndodhur në Bashkinë Tiranë?
Pas arresimit të Veliajt, në krye të Bashkisë Tiranë me pëlqimin e Ramës është vendosur Anuela Ristani. Por kjo e fundit nuk ka marrë aprovimin e Veliajt, i cili me datë 18 mars nga burgu i Durrësit ka firmosur dokumentin që ia delegon detyrat e tij Sara Goxhajt. Menjëherë pas marrjes se njoftimit, Rama ka shkuar në Bashkinë Tiranë dhe ka urdhëruar protokollin që të zhbëj veprimet e Veliajt. Dhe duke shkarkuar Dokushin dhe Goxhajn, dy të besuarit e Veliajt në Bashkinë Tiranë, Rama ka marrë komplet kontrollin e institucionit që vetë e drejton nga jashtë.
Ndërkohë ditën e sotme, burime ekskluzive të Dosja.al, bënë me dije se Rama pas shkarkimit të Alban Dokushit si Sekretar i Përgjithshëm ka emëruar Jonida Halilin në këtë post, e cila më parë ka mbajtur postin e zv/kryetares së Bashkisë. Burimet shtojnë se ky veprim i Ramës nuk është pritur mirë nga Veliaj, i cili nga burgu i Durrësit ka urdhëruar policinë Bashkiake në Tiranë që ruan institucionin e Bashkisë që mos të lejojnë hyrjen e Halilit në Bashki. Bashkia tashmë është e paralizuar dhe për momentin merr urdhëra vetëm nga qelia e burgut të Durrësit.