TIRANË- Deputetja e PD dhe kandidate në listat e hapura në qarkun e Tiranës për 11 majin, Jorida Tabaku së fundmi ka folur në lidhje me nisjen e fushatës, dhe jetës së ndarë mes politikës dhe familjen. Tabaku e ftuar në emisionin “Kjo javë” në News24 foli në lidhje me faktin se ajo doli si më e votuara në Primare. Tabaku u vendos në listat e hapura të PD për 11 majin. Sipas saj, një vendim i tillë i ishte bërë më parë i njohur nga kreu i PD Sali Berisha në një bisedë të gjatë paraprake, përpara se çështja të shkonte në kryesi.
“Nëse atë që bën e bën me shpirt, besoj se gjithmonë ka një rrugë një zgjidhje. Ka qëlluar këto kohë që edhe në periudhën e vështirë të PD mendon a është ky vendi ku dua të punoj? Por pastaj ndodh një shkëndijë që të jep besim. Me daljen e listave mund të kisha një ndjenjë rezerve në vete, por kam pasur një mbështetje nga qytetarët që më dhanë një forcë që më bëri të kuptoj që në beteja dalin njerëzit më të fortë dhe në beteja është ringritja më e fortë.
Unë me Berishën kam bërë një bisedë të gjatë dhe dalja e listave nuk ishte surprizë. Unë i marr gjërat seriozisht. Kishim një garë Primaresh ku u vlerësova si zonja më e votuar, dhe mendova ky ishte procesi dhe duhej marrë parasysh. E rëndësishme është mbështetja e demokratëve dhe qytetarëve. Ka disa momente që duhen kaluar. Në 2021 isha e dyta në listën e Tiranës, por kjo nuk më ka ndaluar që të punoj për PD 24 orë 100 përqind e ta shfrytëzoj këtë për t’u rritur”, tha Tabaku.
Tabaku ka kujtuar takimin e parë me qytetarët në kohën kur ishte pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë. Ajo theksoi se në takimin e parë asaj i është dridhur zëri.
“Në 2009 mora një propozim nga Berisha. Në takimin e parë shkova me kostum dhe taka nga salla e fakultetit ë Ekonomisë, te Bregu i Lumit me një grup qytetarësh për të diskutuar në lidhje me pronat. Vija nga një familje tiranase që kisha vetë probleme me pronat. Në atë takim më është dridhur zëri.
Roli i gruas nuk është ai që duhej të ishte. Sot kemi më shumë zonja në Parlament, por unë ngre pikëpyetje për shumë situata që duhet të ishin zgjidhur nga zonjat. Asnjëherë asnjëra prej tyre nuk më ka dalë në krah edhe kur më kanë sulmuar padrejtësisht. Janë disa situata që… zonjat ndaj janë në politikë edhe për të krijuar një frymë ndryshe edhe për t’u përfaqësuar për çështje të cilat zonjat i bëjnë më mirë. Arsimi, shëndetësia, strehimi, këto cilësi nuk i kanë sjellë dhe ë vjen keq të them që kuota gjinore është përdorur si çështje numrash dhe këtu i referohem pjesës së mazhorancës dhe përfaqësisë në kabinet.
Kemi sot më shumë fonde në arsim e shëndetësi? Nuk po them që në PD i kemi gjërat fjollë dhe i kemi gjërat 100 përqind mirë, por zonjat e PD janë më aktive. Në kauza dhe çështja jemi më aktive. Në të djathtën në të gjithë botën, jo vetëm tek ne. Zonjat kanë treguar se kanë shkuar përtej kuotave”, tha ajo.
Deputetja e PD ka vlerësuar se gratë demokrate janë shumë suportuese me njëra-tjetrën edhe në këto kohë intensive me fushatën.
“‘Ka një vend në ferr për çdo grua që nuk mbështet një grua tjetër’ ka thënë Margaret Thatcher.
Është një shprehje që e përdorim shumë për 8 Mars por që unë i besoj shumë. Kur del në elektorat janë gratë ato që të mbështesin më shumë. Në struktura të partisë gjithashtu, edhe pse jemi në garë koleget pyesim njëra tjetrën si po shkon a u lodhe?
Një rrjet që krijohet edhe me marrëdhënie pune por edhe me marrëdhënie miqësore gjatë punës. Ka disa të tjerë që ndoshta kanë një mënyrë ndryshe punë dhe nuk ke pse paragjykon askënd. Unë besoj që aleancat natyrale në politikë zonjat duhet t’i kenë të parat, sepse zotërinjtë i kanë, ndërsa zonjat nuk ia kanë rrjete kaq mbështetëse. Në strukturat e PD dhe elektorat nuk ka mbështetje më të madhe për zonjat në politikë se zonjat”, tha ajo, teksa u ndal edhe tek komentet dhe sulmet online në rrjetet sociale.
“Në rrjetet sociale shpesh qëllon që shumë njerëz mllefin e inatin e shprehin atje sepse është më e lehtë pas një ekrani. Ka raste që kjo të mërzit por edhe të nxit të shohësh gjërat në një këndvështrim ndryshe. Që kur jam bërë nënë tashmë i bëj gjërat me synimin se çfarë do të lexojnë ato, kjo më është kthyer në një standard”,tha ajo.