Prej disa muajve në Shqipëri është zbuluar një skemë kontrabande, përmes të cilës bagëti të shumta, gjedhi i sëmurë, futet në tregun shqiptar duke dëmtuar seriozisht jetën dhe shëndetin e konsumatorëve shqiptarë.
Për të gjitha rastet që do të paraqesim më poshtë, (Përbëjnë vetëm majën e Ajsbergut), janë në dijeni të gjitha institucionet përgjegjëse shtetërore qendrore dhe lokale, por ende nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje. Ndoshta kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur mishi i infektuar me sëmundje të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve si Bruceloza, të zbulihet në pjatën e kryeministrit Rama.
Por çfarë ka ndodhur:
– Vetëm në vitin 2023, për qytetin e Bilishtit dhe fshatrat përreth, janë matrikulluar 6998 të imta pa certifikatë origjine. Pra të gjitha kontrabandë dhe pa kontroll cilësie.
– Neni 9 pika 2 e ligjit për shërbimin veterinar, thotë qartë se “kafshët pa origjinë asgjësohen”. Por nuk ka ndodhur kjo. Mishi i tyre është hedhur në treg dhe kjo skemë vazhdin edhe sot.
11 prill 2024
Në pikën kufitare të Kapshticës, nga subjekti Aleksandër Limka, janë futur nëpërmjet deklaratës doganore R6949, 19 krerë gjedh (janë shpërndarë në tregun e Bilishtut, Korçës dhe Pogradecit)
Në këtë moment, në bazë të inofrmacioneve tona është njoftuar drejtori rajonal i AKVMB-së, dega Elbasan, Fatmir Ozuni, për gjendjen infektive të këtyre kafshëve, me një sëmundje të rrezikshme, si bruceloza dhe tuberkoloza, informacionë ky i marrë në rrugë operative nga pala greke.
Nga ana e këtij të fundit, pas shumë hezitimeve, janë bërë analizat e gjakut nga inspektori veterinar Ylli Cenkolli dhe nga veterineri i shërbimit Blerim Shahollari.
Në përfundim të këtyre analizave ka rezultuar që 4 prej kafshëve, kanë rezultuar pozitive me brucelozë.
Ndërsa analiza e tuberkolozës, që nuk merret nga gjaku, nuk është bërë për faktin sepse drejtoria e AKVMB-së Elbasan, nuk zotëronte mjetet për të kryer një analizë të tillë, mjete që mungojnë prej disa vitesh.
Edhe pse rezultoi me analiza e provuar që këto kafshë ishin të sëmura, nga ana e inspektorit veterinar Ylli Cenkolli, nuk u morr asnjë masë siç parashikon ligji, që subjekti në fjalë duhet të kalonte periudhën 90 ditore të karantinës, si dhe të pezullohej aktivitet i importit për këtë subjekt. Por u mjaftuan vetmëm me një gjobë prej 200 mijë lekësh të vjetra.
12 prill 2024
Po i njëjti subjekt, në po të njëjtën pikë kalimi kufitare, Kapshticën, nëpërmjet deklaratës doganore R7081, ka futur në territorin e Republikës së Shqipërisë 40 krerë të tjera gjedh.
Importuesi ishte po i njëjti subjekt, Farma Trikakllon e Sotirios Gkoulis Trikalla, person që në Greqi njihet me pseudonimin “Zisi”.
Edhe si në rastin e mëparshëm shërbimet e AKU-së u njoftuan për këtë ngarkesë të dyshimtë, por në përfundim të kontrollit prej 5 orësh, nuk arritën të evidentonin që nga 40 krerët e zhdoganuara, në kamion ndodheshin vetëm 37 krerë.
Matrikullat e 5 prej 37 krerëve nuk korrispondonin me numrat e matrikullave të certifikatës veterinare greke, të bashkangjitur akteve të zhdoganimit.
Këto gjedhë nuk u cuan në destinacionin e përcaktuar në licencë, e të mbaheshin në karantinë, sipas ligjit të veterinarisë, por u dërguan në një ambient tjetër, të pa licencuar dhe që nuk plotësonte kushtet veterinare, në fshatin Vërnik.
Në këtë rast u njoftua përsëri Drejtori Fatmir Ozuni, që këto gjedhë ishin pjesë e një tufe me ato të importuara një ditë më parë dhe që në kundërshtim me ligjin po çoheshin për t’u karantinuar në një ambient tjetër.
Kërkesës për të bërë analizat e brucelozës dhe tuberkolozës, i është përgjigjur me arrogancë dhe ka kundërshtuar kryerjen e analizave.
Gjithashtu nga ana e inspektorit veterinar Ylli Cenkolli, është falsifikuar procesverbali i karantinimit, duke përcaktuar vendndodhjen në stallën e licensuar të subjektit Aleksandër Limka, dhe jo në gjendjen faktike të tyre në fshatin Vërnik.
Gjithashtu edhe pse inspektori veterinar Ylli Cenkolli ka vënë në djeni drejtorin Fatmir Ozuni, që 5 prej këtyre krerëve nuk i korrespondonin numrat e matrikullave me numrat e certifikatave greke, nuk u morr asnjë masë administrative.
Këto kafshë, edhe pse të sëmura, në datë 11 maj 2024, me certifikatë lëvizje me nr. EL063772, të lëshuar nga Ylli Cenkolli, inspektori veterinar, edhe pse detyrimi për përmbushjen e certifikatës ishte e veterinerit të shërbimit Blerim Shahollari, i cili kreu këtë akt po në shkelje, pasi nuk i lejohet sipas ligjit të shërbimit veterinar.
Ngarkesa me 34 krerë u dërgua në Gjirokastër me një certifikatë jo të rregullt, pasi nuk ishte shënuar në certifikatë adresa e subjektit dërgues.
Në këtë moment janë njoftuar shërbimet e qarkut Korçë, të cilat kanë ndaluar kamionin me gjedhë. Por drejtoria rajonale Elbasan dhe Korëë të AKVMB-së, dhe drejtori Fatmir Ozuni, kanë garnatuar forcat policore që çdo gjë është konformë rregullave.
27 prill 2024
Në këtë datë, i njëjti subjekt, në të njëjtën pikë kalimi kufitar, ka tentuar të fusë 3 kamionë me një sasi prej 137 gjedhësh.
Këto kamionë janë bllokuar nga dogana, pasi numrat e tyre të matrikullave nuk korrespondonin, me numrat e matrikullave të përcaktuar në certifikatën veterinare greke.
Gjithashtu është informuar drejtori i doganës së Kapshticës, që këto kafshë në shtetin grekë, me këto matrikulla, rezultonin të asgjësuara, pasi mbartnin sëmundje ngjitëse.
Këto kafshë u ritkthyen përsëri në territorin e Greqisë, (kamionët e bllokuar), për t’u rifutur në datën 30, pas 3 ditësh, po në të njëjtën pikë kalimi kufitarë, po nga i njëjti subjekt.
Këtu hynë përsëri në skenë drejtori Fatmir Ozuni, që edhe pse kishte djeni për përgjigjen e analizave për subjektin Aleksandër Limka, ka lëshuar vërtetimin që subjektin Aleksandër Limka plotëson kushtet higjeno sanitare,, edhe pse ka qenë në djeni që në bazë të analizave të IKV-së kafshët ishin me brucelozë, në kundërshtim me ligjin ka lëshuar këtë vërtetim. Mbi bazë të së cilit dogana e Kapshiticë ka lejuar hyrjen e kafshëve në tregun shqiptar.
Këto kafshë, në mënyrë flagrante nuk shkojnë në destinacionin e duhur të karantinimit, por dërgohen në Ersekë.
Por kjo nuk është e vetmja shkelje flagrante e drejtorit Fatmir Ozuni.
Ndër rastet flagrante renditet edhe ai në të cilin shtetasi Flamur Vrapi, nga Kutallia e Beratit, operonte pothuajse në të gjitha zonat e Shqipërisë duke dërguar kafshë të gjalla, duke operuar me licencën e subjektit “Luka and Lusi”, me aksionerë Endrit Krasta, që zhvillonte aktivitetin në qarkun e Elbasanit. Në fakt kafshët duhet të karantinoheshin dhe kontrolloheshin nga AKVMB Elbasan dhe nga vartësit e Fatmir Ozunit, por janë çuar në Berat, në zonën e Kutallisë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, pa mbushur afatin e karantinimit prej 21 ditësh.
Aleksandër Limka nuk përkrahet vetëm nga Fatmir Ozuni, por edhe nga struktura të tjera shtetërore, më konkretisht, kryetari i Bashkisë së Bilishtit, që ka pajisur me leje provizore nr. 19, datë 23.05.2024, për një stallë e cila më datë 13 maj ishte pothuajse e përfunduar, pra leja është dhënë në shkelje të ligjit 10 ditë pas fillimit të punimeve, duke fallsifikuar deklaratën paraprake të subjektit.
Edhe pas bërjes publike të skandalit me kafshë të sëmura, Aleksander Limka, më datë 12 qershor, futi në territorin e Republikës së Shqipërisë 72 lopë nga Greqia, nën mbrojtjen e AKVMB-se, pasi ai duhet të pezullonte aktivitetin dhe ferma e tij duhet të futej në karantinë për një periudhë tre mujore.
Një gjë e tillë nuk ndodhi me këtë subjekt për të cilin dyshohet se vazhdoi të tregëtonte mish të infektuar me brucelozë në Bilisht dhe në zonat përreth, si Korçë, Pogradec, etj. Mosveprimi i shtetit ka rrezikur shëndetin e më shumë se 3000 familjeve të këtyre zonave.
Kjo vërtetohet edhe nga njé informacion i fundit sipas të cilit ditën e djeshme, drejtorisë së bujqesisë në Korçë i kanë shkuar pergjigjet e analizave për subjektin Aleksandër Limka dhe rezulton se edhe 72 kreret e futur më datë 16 qershor janë të infektuara me brucelozë.
A do të veprojnë edhe pas kësaj strukturat përgjegjëse për të ndaluar edhe këtë sasi mishi që të hidhet në treg, apo do të hartojë thjesht certifikata për “lëvizjeje të parregullta”, si në rastet e mëhershme dhe kafshët e sëmura, do të transferohen në ndonjë rreth tjetër për të humbur gjurmët?! Por ashtu siç e thamë më sipër kjo është vetëm Maja e Ajsbergut dhe vetëm një fragment i skemës së kontrabandës dhe më pas hedhjes në treg të mishit të kafshëve të infektuara.
Në ditët në vijim Alfapress.al do tu informojë se çfarë ndodh me krimin e biznesit të mishit të infektuar edhe në thertore shumë pranë shtëpisë së kryeministrit Rama./Alfapress.al